Rreth 248 milionë kinezë ose 18% e popullsisë së vendit, ka të ngjarë të jenë infektuar me Covid-19 në tre javët e para të dhjetorit, raportuan gazetat financiare ”Financial Times” dhe ”Bloomberg”, duke cituar shifra nga një dokument. ”Rreth 37 milionë ka të ngjarë të jenë infektuar vetëm të martën”, sipas procesverbalit nga një takim i brendshëm i Komisionit Kombëtar të Shëndetit të Kinës, të mërkurën, i cili qarkulloi në median sociale. ”Bloomberg” dhe FT cituan persona të përfshirë në diskutime si konfirmues të informacionit. Statistikat zyrtare flasin vetëm për 62 000 infeksione në mbarë vendin në tre javët e dhjetorit të përmendura në procesverbal. Sipas FT, vlerësimet vijnë nga zëvendësdrejtori i Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Sun Yang, sipas të cilit shkalla e infeksioneve Covid-19 në vend ishte ende në rritje. Sun thuhet se zbuloi se më shumë se gjysma e 81 milionë banorëve të provincës Sichuan të Kinës jugperëndimore dhe e njëjta përqindje e 21 milionë banorëve në Pekin ishin të infektuar. Pas gati tre vitesh bllokime, karantina dhe testime masive, Kina papritmas lehtësoi politikën e saj të ashpër ”zero Covid-19” më 7 dhjetor, duke e justifikuar masën duke thënë se rastet që përfshijnë variantin e ri Omicron janë më pak të rënda. Megjithatë, hapi u pa gjerësisht si pranim i faktit se nuk ishte më e mundur të ruheshin masat strikte. Që atëherë, virusi është përhapur me shpejtësi dhe në shumë vende spitalet janë plot. ATA