Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIBorxhi publik, nën 69 % në 2022

Borxhi publik, nën 69 % në 2022

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se borxhi publik, për periudhën janar- shtator ishte në nivelin prej 67.7% ndaj PBB. Në terma nominal, ky borxh, sipas saj, është në vlerën prej 1,386 miliardë lekë, përfshirë këtu borxhin e qeverisjes qendrore dhe garancitë shtetërore. “Ne parashikojmë që viti 2022 të mbyllet me një nivel borxhi nën 69% ndaj PBB”, tha ajo teksa paraqiti në Kuvend ndryshimet në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë”. Sipas ministres Ibrahimaj, ndryshimet synojnë krijimin e hapësirave ligjore për të vepruar më me shpejtësi dhe elasticitet në tregje, pa pengesa proceduriale, në mënyrë që të garantohen interesa dhe kosto më të ulëta huamarrjeje. “Nga pikëpamja e cilësisë së portofolit të borxhit, mund të themi që ndër vite është punuar shumë në drejtim të pasjes së një portofoli me risqe të reduktuara, sidomos përmirësime të ndjeshme janë bërë në treguesit e rifinancimit dhe ato të riskut të interesit në borxhin e brendshëm. Nga këndvështrimi i riskut ndaj normës së interesit, është mundësuar përmirësim i ndjeshëm i treguesve ndër vite. Pesha gjithnjë e në rritje e borxhit me norma fikse interesi na mundëson sot të jemi më pak të ndikueshëm nga rritja e normave që po ndodh në kushtet aktuale të tregjeve financiare, si në tregun e brendshëm, edhe në tregjet ndërkombëtare të kapitalit”, vuri në dukje ministrja. Ajo informoi se kostoja mesatare e borxhit të brendshëm është reduktuar nga 5.3% në vitin 2015, në 3.5% në fundin e vitit 2021, ndërsa ajo e borxhit të jashtëm është ulur nga 2.4% në vitin 2015, në 1.9% në fundin e 2021. “Aktualisht jemi në një vit të vështirë ku normat si në tregun e brendshëm, edhe në financat ndërkombëtare kanë pësuar dhe vijojnë të kenë rritje të qenësishme. Për këtë arsye parashikojmë që në buxhetin e shtetit të përballohet një vlerë më e lartë në formën e shpenzimeve për interesa në krahasim me vitet e fundit, vite në të cilat borxhi është karakterizuar nga nivelet më të ulëta historike si në tregun e brendshëm, edhe në atë të jashtëm”, tha ministrja. Sipas saj, në një situatë si kjo e rritjes së kostos së borxhit, financimet e institucioneve financiare ndërkombëtare të cilët mundësojnë kredi me terma të favorshme, janë të leverdishme dhe të rëndësishme për të vijuar me tërësinë e investimeve të planifikuar nga qeveria që do të mundësojnë zhvillim të qëndrueshëm. “Ndaj projektet prioritare të investimit, do vijojnë të financohen nga institucionet ndërkombëtare të zhvillimit, ndër të cilët do të veçoja Bankën Botërore, KfW dhe Qeverinë Gjermane, Bankat Europiane të Zhvillimit si BEI dhe BERZH, e shumë partnerë të tjerë zhvillimi, në vend që për financimin e tyre tu drejtohemi tregjeve të kapitalit”, u shpreh Ibrahimaj. Tregjeve ndërkombëtare, theksoi ajo, do t’u drejtohemi sipas nevojës, si dhe kur kushtet të paraqiten të favorshme, duke siguruar prezencën e vazhdueshme në këto tregje me instrumente të emetuara nga vendi ynë.http://ata.gov.al/2022/12/22/ibrahimaj-borxhi-publik-nen-69-ne-vitin-2022/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments