U mbajt në Prishtinë simpoziumi shkencor “Lëvizja kombëtare 1990-1991 dhe shkatërrimi i federatës jugosllave”. Simpoziumi shkencor iu kushtua 40-vjetorit të themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës. Simpoziumi u organizua nga Shoqëria “Lëvizja”, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (Shkup), Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës. Kryetari i shoqatës, Xhevat Bislimi tha se ky simpozium përkon me përvjetorin e organizatës në një kohë kur Kosova është në një situatë tensionesh. “Ishte organizata që veproi në një kohë të përsekutimit. Ky simpozium sot përkon edhe me një situatë tensionesh, presionesh që po i bëhen Kosovës edhe pas 24 vitesh çlirimi nga Serbia. Eshtë një situatë që kërkon unitet politik, sepse përballë kemi Serbinë dhe jo njëri-tjetrin”, tha Xhevat Bislimi. Akad. Shaban Sinani ka mbajtur një kumtesë, ku foli për kapërcimin e situatave të vështira politike nga lëvizja popullore e Kosovës dhe theksoi se: “Në fillim të vitit 1998, kur lëvizja çlirimtare e Kosovës ishte imponuar brenda dhe jashtë botës shqiptare si zotëruese e gjendjes dhe shpresë e ndryshimit, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, me pak vonesë, por ende pa kaluar momenti historik, ndërmori dy iniciativa shkencore: botimin e një mini-enciklopedie për Kosovën, që në botim doli me titullin “Kosova në vështrim enciklopedik”, dhe hartimin e “Platformës për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”. Libri “Kosova në vështrim enciklopedik”, në kushtet që koha nuk priste, u mbështet kryesisht në artikujt themelorë që përmbante “Fjalori enciklopedik shqiptar”, që u përditësuan aq sa ishte e mundshme nga një redaksi e përbërë prej studiuesish të historisë, kulturës, gjuhësisë, ekonomisë e demografisë.” Platforma e cila nuk përmban emra autorësh, iu paraqit qarqeve diplomatike europiane si një traktat institucional. Por dihet se teksti përfundimtar u redaktua nga prof. dr. Kristo Frashëri dhe akad. Rexhep Qosja. Këto dy dokumente përbëjnë kontributin themelor të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për çështjen e Kosovës në kohën e vlimit të ngjarjeve të shekullit.
Simpozium shkencor për 40-vjetorin e themelimit të Lëvizjes Popullore të Kosovës
RELATED ARTICLES