Është çelur ekspozita “Përrallat e baladat arbëreshe përmes artit grafik”, me punimet e nxënësve të Liceut Artistik “Jordan Misja”. Ceremonia e hapjes u zhvillua sot në mjediset e Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët dhe pjesë e veprimtarisë kanë qenë edhe artistët e rinj, të cilët kanë prezantuar punët e tyre. Kjo ekspozitë shënon hapin final të kurorëzimit të projektit “Përrallat e baladat arbëreshe përmes artit grafik”, realizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA) në bashkëpunim me Liceun Artistik “Jordan Misja”. Pas disa takimeve konsultative dhe leksioneve të hapura për njohjen e baladave arbëreshe, në fazën përfundimtare vjen konkretizimi me punime artistike nga ana e nxënësve. Ky projekt ka për qëllim të përcjellë tek të rinjtë përrallat dhe baladat arbëreshe, duke e bërë më të prekshme botën arbëreshe përmes gjuhës pamore. Secili nxënës ka shpalosur fantazinë e tij në paraqitjen e baladave arbëreshe, prandaj QSPA-së ka ftuar publikun për t’i parë nga afër këto punime.https://ata.gov.al/2022/12/19/baladat-arbereshe-kthehen-ne-grafika-nga-nxenesit-e-liceut-artistik/