Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca në përmbledhjen e aktiviteteve javore të institucionit që drejton e vuri theksin në disa ngjarje të rëndësishme. Krifca u ndal së pari tek miratimi në qeveri dhe nisjen për shqyrtim në Parlament të marrëveshjes sektoriale për financimin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, të një programi tërësisht të ri me Bashkimin Evropian, IPARD III, duke marrë dhe vendosur një angazhim financiar prej 146 milionë euro, në dispozicion të fermerëve, të peshkatarëve, të agropërpunuesve, grupeve vendore të veprimit, aktorëve të agromjedisit, bujqësisë organike, zhvillimit rural në tërësi. “Ky program do të hapë dritaren më të madhe dhe më të rëndësishme të financimit ndonjëherë dhënë për bujqësinë, që ajo të modernizohet dhe të përafrohet me standardet e Bashkimit Evropian. Risia e programit të ri është që zgjerojmë gamën e përfituesve dhe të financimeve edhe me 5 masa të reja, që përfshijnë masën e pyjeve, masën agromjedisore, qasjen LEADER për zhvillimin e grupeve lokale të veprimit apo investimet për infrastrukturën rurale në përputhje me nevojat e bashkive”, theksoi Krifca. Me të njëjtën frymë, tha Krifca, “këtë javë ne kemi miratuar dhe rritjen e buxhetit në Skemën Kombëtare me 200 milionë lekë të dedikuar ndaj blegtorisë, mbështetur kështu edhe 1 mijë blegtorë të tjerë nga Skema Kombëtare e Mbështetjes, duke e çuar numrin e përfituesve në 47,000 fermerë, me një nivel historik mbështetjeje, prej 5.1 miliard lekë për vitin 2022”. “Gjithashtu në këtë javë tejet të rëndësishme, miratuam në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, ligjin e ri për verën dhe vreshtarinë. Një ligj që është punuar germë më germë, me kujdes, i shumëpritur nga prodhuesit e rrushit, përpunuesit, kantinat, enologët dhe këdo kupton stadin e ri të cilësisë ku gjendemi aktualisht, si dhe prioritetet e të ardhmes në fushën e verëtarisë. Ligji krijon standarde të reja, formalizon, fuqizon prodhimin vendas dhe varietetet autoktone, duke i dhënë atyre vlerë, krijon gjurmueshmëri të prodhimit vendor, kushtet e zgjerimit dhe eksportit në tregje të reja, ndërkohë që përmes këtij projektligji ne plotësojmë kërkesat e prodhuesve, por dhe kërkesën e vazhdueshme të raport progresit nga Komisioni Evropian”, nënvizoi ajo. Krifca u shpreh se “më erdhi mirë këtë javë të konstatoj gjithashtu se Shqipëria ka qenë në pararojë gjatë vitit 2022, në ecurinë e projektit pilot SEED+ të lehtësimit të procedurave të tregtimit të produkteve bujqësore. Është një projekt i mbështetur nga Bashkimi Evropian, në zbatim nga vendet e Marrëveshjes për Tregtinë e Lirë në Vendet e Evropës Qendrore (CEFTA). Kështu, gjatë punës së Agjencisë Kombëtare të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, Shqipëria është renditur e para, mes këtyre vendeve që kanë marrë pjesë duke pilotuar projektin, duke u vlerësuar si partneri më aktiv, me lëshimin e numrit më të lartë të certifikatave digjitale fitosanitare, prej fillimit të zbatimit të projektit pilot nga korriku i vitit 2022”, theksoi Krifca. Ministrja Krifca informoi se “brenda ministrisë, me të gjithë drejtuesit e programeve buxhetorë jemi në një punë të dedikuar për mbylljen e detajimit të buxhetit për vitin 2023, një buxhet i cili kemi vendosur të ketë në fokus fermerët, blegtorët, njerëzit e punës dhe ata që punojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale”. Lidhur me situatën nga moti, Krifca tha se “në këto ditë të paqëndrueshme të motit, stafi ynë është në territor me të gjithë infrastrukturën kulluese, mbrojtëse, mbështetëse për të ndihmuar dhe asistuar aty ku duhet përballimin e reshjeve”. “Së fundmi, së bashku me Kryeministrin pata mundësinë që të vizitoj dy kontribues të rëndësishëm të bujqësisë gjatë kësaj jave, por edhe zhvillimit rural. Në Kamzë vizituam kompaninë Riviera, që përmes programit IPARD ka mundësuar ngritjen e një qendre moderne grumbulluese frigoriferike me kapacitete shumë të mëdha për grumbullimin, seleksionimin, ruajtjen dhe eksportin e fruta-perimeve. Një pol i rëndësishëm i bujqësisë moderne me një rrjet të gjerë fermerësh që grumbullojnë produktet aty. Ndërkohë në Surrel vizituam Ismetin, djalin e “Cerenit”, shefin e famshëm të kuzhinës, i cili ka investuar në një pol tjetër të agroturizmit dhe përpunimit artizanal të produkteve ushqimore të grurit, të qumështit, të frutave-perimeve, të mishit, të verës, e cila në fakt përveçse në fakt një pikë e re atraksioni agroturistik, do të jetë edhe një laborator i jashtëzakonshëm kulinarie, fantazie në një ish-repart ushtarak të braktisur, cili do t’i ofrojë vizitorëve dhe prodhuesve të Tiranës, qendrën më të re të përpunimit ushqimor kulinar të prodhimeve lokale të nivelit mjaft të lartë”. “ Të dy këta janë shembuj të vizionit tonë të zhvillimit të bujqësisë dhe të agroturizmit”, tha Krifca.https://ata.gov.al/2022/12/17/krifca-ipard-iii-146-milione-euro-per-fermeret-peshkataret-dhe-agroperpunuesit/
IPARD III, 146 milionë euro për fermerët, peshkatarët dhe agropërpunuesit
RELATED ARTICLES