Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka qenë sot e pranishme në ambientet e Shkollës së Baletit, ku ka ndjekur një pjesë të koreografisë së përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle, të cilët së shpejti do të ngjiten në skenën e teatrit të Gjenovës. “Fat të takoja sot në Tiranë balerinin dhe koreografin e famshëm Patrick de Bana, por edhe më me fat të ndiqja një pjesë me koreografinë e tij të interpretuar nga nxënësit e talentuar të Shkollës së Baletit”, shkruan në një postim në rrjetet sociale, ministrja Margariti. “Paganini” është një vepër e re që do të ngjitet në skenën e teatrit të Gjenovës, interpretuar nga të rinjtë tanë, veshur me fustanellat e bardha. Për këtë projekt dhe të tjera argumente, ministrja Margariti ka diskutuar me koreografin De Bana dhe drejtoren e Shkollës së Baletit, Blerina Arbana. “Një atmosferë plot shpresë për balerinët e rinj, por edhe për skenën tonë”, e ka vlerësuar ministrja, atmosferën e krijuar në Shkollën e Baletit përpara udhëtimit drejt Gjenovës.https://ata.gov.al/2022/12/15/paganini-do-te-ngjitet-ne-teatrin-e-genova-s-me-fustanellen-shqiptare/