Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, para fillimit të takimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së, ka komentuar situatën në veri, duke thënë se ka përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë duhet ta kapërcejnë këtë tendencë për të luftuar pasi nuk është mënyra për të kërkuar procesin e normalizimit, në të cilin ata janë të angazhuar. Borrell ka shtuar se ministrat e jashtëm të BE-së, do të diskutojnë sot pikërisht për situatën në veri të Kosovës, për të cilën tha se është mjaft shqetësuese. “Ne menduam se gjërat u tejkaluan pas marrëveshjes, por edhe një herë serbët e Kosovës iu përgjigjën arrestimit të ish-policit serb të Kosovës, me shumë telashe në rrugë, bllokim të rrugëve, madje edhe duke hedhur granata trullosëse ndaj policëve tanë. Kjo nuk është e pranueshme. E di që të dy palët janë të gatshme të deeskalojnë situatën, dhe po ju bëj thirrje të dyja palëve ta bëjnë këtë. Unë kam qenë në kontakt me kryeministrin Kurti, ndërsa Miroslv Lajçak ishte në kontakt me presidentin Vuçiç në Serbi. Kjo dhunë dhe këto çrregullime të rendit publik nuk mund të lejohet. Ata duhet t’i kthehen dialogut, duhet ta kapërcejnë këtë tendencë për të luftuar, për të krijuar bllokada, nuk është mënyra për të arritur marrëveshje, nuk është mënyra për të vazhduar bisedimet, nuk është mënyra për të kërkuar zgjidhje, nuk është mënyra për të kërkuar procesin e normalizimit, në të cilin ata janë të angazhuar”, tha ai. Në veri të Kosovës, serbët kanë ngritur barrikada dhe kanë bllokuar rrugë që të shtunën pasdite, pasi Policia e Kosovës ka arrestuar ish-zyrtarin serb, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të vendit.https://ata.gov.al/2022/12/12/borrell-thirrje-kosoves-e-serbise-ndaloni-konfliktet-dhe-dialogoni/