Policia e Kosovës, ka bërë të ditur se situata në veri të vendit vazhdon të jetë stabël dhe e menaxhueshme. Policia ka informuar se në vazhdimësi po përcjellë dhe vlerëson situatën e sigurisë, konform të cilave edhe ka ndërmarrë masat e nevojshme, duke rritur kapacitetet policore me qëllim të ofrimit të sigurisë, ruajtjes së rendit e qetësisë publike, mbrojtjes së jetës e pronës si dhe parandalimit të incidenteve dhe akteve të ndryshme kriminale. “Edhe përkundër incidenteve dhe sulmeve të tilla të drejtuara ndaj institucioneve me mjete shpërthyese, sulmit ndaj zyrtarëve policorë siç ishte rasti i mbrëmshëm “Vrasje e Rëndë në Tentativë dhe Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm” si dhe rasti i ndodhur sot “Kanosje” ndaj dy gazetarëve të mediumit Kallxo.com, Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhimet e saja policore në interes të mbajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës. Si pasojë e sulmit me armë zjarri ndaj njësitit policorë, një pjesëtarë i Policisë së Kosovës ishte plagosur, i cili pas trajtimit mjekësorë është në gjendje të mirë shëndetësore. Në rastet tjera nuk ka pasur lëndime në njerëz përpos dëme të konsiderueshme materiale të shkaktuara në objekte dhe automjete”, thuhet në njoftim. Policia ka theksuar se është duke zhvilluar hetime intensive drejt identifikimit të personave të dyshuar të përfshirë në vepra të tilla kriminale si dhe sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë. Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave dhe autorizimeve policore, njëkohësisht fton të gjithë qytetarët për qetësi dhe bashkëpunim me Policinë e Kosovës e cila çdo herë do të jetë në shërbim të qytetarëve pa dallime.