Të dhënat për lejet e ndërtimit në vendin tonë, përgjatë tremujorit të tretë të këtij viti, kanë shënuar rënie, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021. Një raport i INSTAT, lidhur me lejet e ndërtimit të dhëna në 12 qarqet e vendit si Tirana, Durrësi, Berati, Elbasani, Vlora, Lezha Shkodra, Kukësi, Dibra, Fieri, Gjirokastra dhe Korça, ofron detaje, lidhur me lejet e ndërtimit të miratuara përgjatë tremujorit të tretë të 2022, ku, sipas raportit, janë miratuar gjithsej 269 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 442 leje të miratuara në tremujorin e tretë 2021, duke shënuar një rënie prej 39,1 %. Po sipas raportit, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit e miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e tretë 2022, është 418.685 m2, nga 564.266 m2 që u miratuan në tremujorin e tretë 2021, duke shënuar një rënie prej 25,8 %. “Në tremujorin e tretë 2022, vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike është 21,6 miliardë lekë, nga 22,5 miliardë lekë miratuar në tremujorin e tretë 2021, duke shënuar një rënie prej 3,8 %”- thuhet në raport. Po cila është metodologjia e ndjekur për të dhënat “Lejet e ndërtimit” kanë për qëllim që të paraqesin informacion mbi lejet e ndërtimit të miratuara për ndërtesa dhe punimeve inxhinierike në nivel qarku dhe vendi. Treguesit kryesorë të lejeve të ndërtimit të miratuara, janë: Numri i lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja. Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja. Vlera e përafërt e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa dhe punime inxhinierike. Të dhënat mbi lejet e ndërtimit të miratuara janë të dhëna administrative. Ndërtesat klasifikohen në dy lloje të ndryshme kategorish: 1) Ndërtesa për banim (rezidente). 2) Ndërtesa të tjera (jo rezidente), ku përfshihen ndërtesat për hotele dhe të ngjashme, ndërtesa për zyra, ndërtesa industriale, ndërtesa tregtare, etj.
INSTAT: Bie numri i lejeve të ndërtimit në 12 qarqet e vendit
RELATED ARTICLES