Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETAREVarhelyi: Nuk kemi ardhur me duar bosh.

Varhelyi: Nuk kemi ardhur me duar bosh.

Ky është samiti i parë BE-Ballkani Perëndimor që zhvillohet në rajon, sipas një deklarate për shtyp të komisionerit të BE-së për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi për organizimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë. ”Ky është një moment historik, një moment historik në marrëdhëniet tona, megjithatë, unë e shoh ndryshe. Organizimi i Samitit të Ballkanit Perëndimor me partnerët dhe aleatët tanë rajonalë duhej të ishte bërë shumë kohë më parë. Sepse Ballkani Perëndimor është pjesë e familjes. Ne ndajmë një kontinent. Ne jemi të lidhur përmes historisë, ekonomisë, politikës apo familjeve tona. Prandaj, jam i bindur se jemi në një fillim të ri. Në tre vitet e fundit, Komisioni Evropian ka investuar shumë në Politikën e Zgjerimit për të sjellë partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor më afër BE-së. Politika e zgjerimit është gjithçka që ne mund t’u ofrojmë partnerëve tanë dhe qytetarëve. Është investimi ynë afatgjatë gjeostrategjik në paqen, stabilitetin, sigurinë dhe rritjen socio-ekonomike të Evropës. Ai bazohet në lidhjen tonë themelore dhe zgjedhjen tonë strategjike. Prandaj, politika e zgjerimit nuk ka alternativë dhe është në interesin tonë të përbashkët të përshpejtojmë procesin e integrimit. Njëzet e shtatë vendet anëtare treguan vendosmërinë e tyre kur kërkuan unanimisht përshpejtimin e procesit të anëtarësimit në Këshillin Evropian, në qershor. Ndërsa po mblidhemi rreth tryezës së Samitit të Ballkanit Perëndimor, desha të përmbledh atë që do të jetë në agjendë. Nuk kemi ardhur me duar bosh. Për shkak se ka një luftë në rajonin tonë, mendimi ynë strategjik fokusohet në tre fusha ku ne duam të përshpejtojmë veprimet tona. Sepse mënyra më e mirë për të dalë nga një krizë, në këto kohë sfiduese është nëse shohim përpara. Ne do të trajtojmë tri çështje: energjinë, migrimin dhe lidhjen digjitale. Së pari, për të ndihmuar rajonin dhe për të trajtuar ndikimin më të rëndë të luftës, krizën energjetike. BE ofron një paketë të mbështetjes për energjinë prej 1 miliardë eurosh me masa të menjëhershme dhe afatshkurtëra deri në afatmesme. Komisioni miratoi ndihmën e menjëhershme për mbështetjen buxhetore prej 500 milionë euro për të zbutur ndikimin e çmimeve të energjisë në familjet në nevojë dhe kompanitë e vogla dhe të mesme. Ne do të jemi gati për të disbursuar fondet që në janar. Pjesa e dytë e paketës prej 500 milionë euro të tjera mbështet investimet afatshkurtëra dhe afatmesme në 1-3 vitet e ardhshme. Në afat të shkurtër, pas 1-2 viteve, ne do të mbështesim prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe ndërlidhjet e energjisë elektrike dhe gazit, duke përfshirë LNG-në, ne duam që të ndërtohet një terminal tjetër LNG në BP. Ne synojmë të lejojmë diversifikimin e furnizimit me energji larg Rusisë. Në afat të mesëm, pas 2-3 viteve, ne do të mbështesim projekte në shkallë të gjerë të burimeve të rinovueshme, solare, centrale me erë, si dhe rinovimin e blloqeve të vjetra të banesave për t’i bërë ato të pavarura nga energjia me izolim dhe gjenerim të energjisë diellore në çatitë e tyre. Dhe Plani Ekonomik dhe Investues (EIP) në vazhdim, prej 30 miliardë eurosh për rajonin do të shërbejë për të ndihmuar Ballkanin Perëndimor me këtë tranzicion. Komisioni po vjen në samit me lajme për progrese të konsiderueshme në zbatimin e planeve të tij, me 12 projekte të reja investimi dhe 8 skema garancie kredie të miratuara këtë javë në fushën e energjisë, si pjesë e paketës, por, edhe në transportin hekurudhor dhe ujor, menaxhimin e mbetjeve dhe ujërave të zeza, në fushën e energjisë e laboratorëve inteligjentë digjitalë dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore. Kjo paketë e fundit e çon zbatimin e EIP në dy vitet e fundit në 1.8 miliardë euro investime, për financimin e 40 projekteve kryesore me një vlerë prej 5.7 miliardë euro. Tema jonë e dytë kryesore e diskutimit do të jetë trajtimi i migrimit në rritje të shpejtë. Si do të jemi në gjendje të shmangim situatën e vitit 2016? Ekziston një mirëkuptim i përbashkët se ne duhet të punojmë edhe më ngushtë së bashku. Ne duhet t’u dërgojmë një mesazh të qartë migrantëve dhe kontrabandistëve të paligjshëm se abuzimi me sistemin tonë të azilit ka marrë fund. Ne po përforcojmë politikat e menaxhimit të kufijve, kthimit dhe ripranimit, qendrat e paraburgimit dhe goditjen e grupeve të krimit të organizuar që kontrabandojnë migrantë në Ballkanin Perëndimor. Për këtë qëllim, Ballkani Perëndimor mund të besojë në mbështetjen politike, financiare dhe operacionale të BE-së. Ne po e rrisim ndihmën tonë financiare me 60% në të paktën 350 milionë euro gjatë periudhës 2021-2024, me 200 milionë euro projekte të miratuara tashmë në dy vitet e para. Në javët e fundit, ne kemi miratuar një paketë mbështetëse prej 40 milionë eurosh që mbulon Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë, Kosovën dhe Malin e Zi për të forcuar kapacitetet e menaxhimit të kufirit. Ne kemi miratuar gjithashtu një paketë strategjike prej 30 milionë eurosh, e cila do të ndihmojë rajonin të trajtojë kontrabandën e migrantëve dhe trafikimin e qenieve njerëzore. E gjithë kjo tregon se sa ngushtë janë të ndërthurura interesat dhe ambiciet e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe se si duhet të mbështetemi tek njëri-tjetri kur përballemi me sfidat globale. Dhe angazhimi ynë i tretë, që sollëm këtu në Tiranë, është mbështetja jonë drejt tranzicionit digjital të rajonit, i cili është në krye të Planit Ekonomik dhe të Investimeve. Është bërë një punë e madhe për të prezantuar “Roam Like at Home” në korrik 2021, këto ndryshime kanë një ndikim të dukshëm në jetën e përditshme të qytetarëve. Operatorët e BE-së dhe BP do të ndërmarrin sot hapin e radhës duke nënshkruar një deklaratë që do të mundësojë uljet e para të tarifave të Roaming midis BE-së dhe rajonit në tetor 2023. Kjo nismë vullnetare është e hapur për të gjithë operatorët, sa më shumë të bashkohen, aq më i madh është përfitimi për qytetarët dhe bizneset. Si përfundim, pavarësisht nëse flasim për trajtimin e krizës energjetike apo të migracionit, në qendër të vëmendjes sonë, para së gjithash, janë njerëzit. Mund të themi se jemi të suksesshëm kur njerëzit e Ballkanit Perëndimor mund të shohin, mund ta ndiejnë ndryshimin, kur njerëzit e Ballkanit Perëndimor mund të përjetojnë rritjen e ekonomisë së tyre, shumëllojshmërinë e mundësive të punësimit dhe kur brezi i tyre i ri vendos të qëndrojë në shtëpi në vend që të lërë vendin e tyre. Tirana na sjell një hap më afër këtij synimi. Kjo është arsyeja pse ne të gjithë jemi mbledhur këtu”, përfundon deklarata e Varhelyit.https://ata.gov.al/2022/12/06/fokus-varhelyi-ballkani-perendimor-pjese-e-familjes-sone-evropiane/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments