Plani Kombëtar i Pastrimit ka dhënë rezultate të prekshme në të gjithë vendin, ku për 1 vit nga nëntori 2021 deri në nëntor 2022 janë hequr mbi 126 mijë ton mbetje nga territori. Rezultatet u bënë publike nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, e cila tha se ky plan jo vetëm bën detyrën funksionale të pastrimit të territorit, por edhe shërben si formë edukimi për të kuptuar se çfarë i bëjmë natyrës me papërgjegjshmërinë tonë. “Plani Kombëtar i Pastrimit lindi si domosdoshmëri e gjendjes në territor dhe sensibilizim për sjelljen tonë karshi mjedisit. Ndërsa sot ka rezultate të prekshme, me mbi 126 mijë ton mbetje të pastruara nga territori, 1891 hotspote të pastruara, përmes angazhimit të 58,708 njerëzve në të gjitha bashkitë e 12 qarqeve. Angazhimi në Planin Kombëtar të Pastrimit ka qenë maksimal me pjesëmarrjen jo vetëm të atyre që e kanë detyrë funksionale procesin e pastrimit por edhe të administratës dhe organizimit të shkollave, si forma më e mirë e edukimit për të kuptuar se ku shkojnë mbetjet tona dhe ç’i bëjmë natyrës me papërgjegjshmërinë tonë”, tha Kumbaro. Plani Kombëtar i Pastrimit është shtrirë në të 12 qarqet e vendit, ku janë angazhuar 58,708 njerëz dhe 1422 mjete për pastrimin e 1891 hotspoteve. Ky plan ka gjetur mbështetjen jo vetëm në autoriteteve si Prefektëve, forcave të ushtrisë, bashkive përkatëse, institucioneve lokale, por edhe komunitetit dhe nxënësve në mënyrë vullnetare. Ky plani do të vijojë edhe përgjatë vitit 2023.https://lajme.rtsh.al/artikull/1-vit-nga-plani-kombetar-i-pastrimit-kumbaro-jane-hequr-126-mije-ton-mbetje-do-vijoje-edhe-ne-2023
Plani Kombëtar i Pastrimit: Janë hequr 126 mijë ton mbetje
RELATED ARTICLES