Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALERisitë e platformës “eTransport”

Risitë e platformës “eTransport”

Për herë të parë në Shqipëri, do të implementohet platforma “eTransport” për biletimin elektronik në rrjetin e linjave ndërqytetëse dhe të udhëtarëve. Ky investim strategjik synon implementimin e biletimit elektronik brenda vitit 2023 dhe digjitalizimin e këtij shërbimi, instalimin e pajisjeve për transaksionet në mjete dhe terminale, si edhe ofrimin në kohë reale të aksesit të udhëtarëve, përmes aplikacioneve mobile e online, në një eksperiencë të re udhëtimi me rrjetin e linjave ndërqytetëse por edhe duke sjellë një kthesë epokale në formalizim, menaxhim transparent dhe mbështetje për operatorët dhe konsumatorin. Drejtori i DPSHTRR-së, Blendi Gonxhja ka theksuar se kjo platformë risi, tashmë në proces të përparuar implementimi, do të menaxhojë e monitorojë elektronikisht fluksin dhe aksesin në transportin publik ndërqytetës. Gonxhja ka nënvizuar se “kjo është faza e dytë e kësaj platforme pas fazës së parë të nisur në pranverën e këtij viti me digjitalizimin tërësor të procesit të licencimit dhe certifikimit për sektorin e transportit ndërqytetës, dhënien fund të praktikave subjektive e të shkuarës korruptive që trashëgonim, duke kaluar çdo veprim online, në transparencë të padëgjuar më parë”. “Pas investimit për databazën elektronike, sistemin operativ dhe pajisjet IT, që shërbejnë për procesimin e aplikimeve online dhe gjenerimin e dokumenteve në kohë reale përmes moduleve për shoqëritë e transportit, drejtuesit e mjeteve dhe flotat, në ndërveprim me sistemet e treta dhe me ofrimin e 18 shërbimeve në platformën qeveritare e-Albania, DPSHTRR merr besimin e qeverisë për të vijuar me fazën e dytë të eTransport – biletimi elektronik në mbështetje të rrjetit të linjave ndërqytetëse dhe të udhëtarëve”, është shprehur ai. Kreu i DPSHTRR-së nënvizon se “numërimi mbrapsht ka nisur drejt biletës elektronike, zbardhjes së aktivitetit në funksion të anti-informalitetit, transparencës dhe politikave mbështetëse e sociale për udhëtarin e linjave publike ndërqytetëse, si edhe për injektim për modernizim flote e fuqizim të operatorëve. Ai synon që këtë projekt kompleks ta përmbyllin brenda vitit 2023 së bashku me një sërë angazhimesh me bashki e institucione partnere. Në konferencën e zhvilluar për prezantimin e kësaj platforme një ditë më parë, kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj tha se ky shërbim do të bëhet më i plotë me finalizimin e dy terminaleve në kryeqytet. Platforma “eTransport” do të jetë e mundësueshme online ku do të tregoj të gjitha terminalet, linjat e autobusave në dispozicion, oraret në të gjitha vendet e Shqipërisë. Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro është shprehur se platforma “eTransport” nga DPSHTRR, e cila lejon aksesin digjital në transportin rrugor ndërqytetas, zgjidh problemin e turistëve të huaj për të udhëtuar brenda Shqipërisë duke u ofruar informacionin e duhur për vendndodhjen e terminaleve, aksesimin e biletave online dhe itineraret e transportit.https://ata.gov.al/2022/12/03/risite-e-platformes-etransport-nga-biletat-online-te-itineraret-e-transportit/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments