Samiti BE-Ballkani Perëndimor që do të mblidhet në 6 dhjetor në Tiranë, është samiti i parë i këtij lloji që zhvillohet në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Samiti është pjesë e zbatimit të Axhendës Strategjike të Këshillit Evropian 2019-2024, si dhe konsiderohet një mundësi për të rikonfirmuar rëndësinë kyçe të partneritetit strategjik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, një rajon me një perspektivë të qartë drejt BE-së. Sipas axhendës zyrtare të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Bashkimit Europian, ndër temat kryesore të diskutimit do të jenë: trajtimi i pasojave të agresionit rus kundër Ukrainës; intensifikimi i angazhimit politik; përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja duke adresuar sfidat e paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar. Liderët pritet të bëjnë një deklaratë në fund të samitit. Konkretisht, udhëheqësit do të diskutojnë mundësitë e bashkëpunimin përballë sfidave të përbashkëta që rrjedhin nga agresioni i Rusisë kundër Ukrainës. Ata do të shqyrtojnë më konkretisht efektet e tij negative në sektorët e energjisë dhe sigurinë ushqimore në Ballkanin Perëndimor. Temë e diskutimeve do të jenë përgjigja e BE-së ndaj pushtimit rus të Ukrainës, si dhe siguria e ushqimit dhe aftësia për ta përballuar atë. Po ashtu, udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të diskutojnë mënyrat e thellimit të angazhimit politik me një fokus të veçantë te të rinjtë. Ata gjithashtu do të bëjnë vlerësimin e progresit në: integrimin e Ballkanit Perëndimor në tregun e brendshëm të BE-së; modernizimin e sistemeve të tyre të pagesave në përputhje me standardet e BE-së në fushën digjitale; zbatimin e Rrugëve të Gjelbërta BE-Ballkani Perëndimor. Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Kjo përfshin luftimin e manipulimit të informacionit të huaj dhe përmirësimin e sigurisë kolektive kibernetike. Udhëheqësit do të shkëmbejnë pikëpamjet për trajtimin e përbashkët të menaxhimit të migracionit pasi numri i migrimeve të Ballkanit Perëndimor është rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar. Kjo përfshin harmonizimin e politikës së vizave të BE-së dhe bashkëpunimin në sistemet e kthimit. Ata do të diskutojnë gjithashtu forcimin e bashkëpunimit kundër terrorizmit dhe parandalimit të radikalizimit. Samiti i fundit midis liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor ishte Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Brdo pri Kranju në tetor 2021. Ai u organizua nga Presidenca Sllovene e Këshillit.https://ata.gov.al/2022/11/30/samiti-be-ballkani-perendimor-ne-6-dhjetor-ne-tirane-zbardhet-axhenda/