Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës organizuan në 23 nëntor Konferencën shkencore “Rrugëtimi shqiptar për Pavarësinë”, në kuadër të 110-vjetorit të Pavarësisë. Në Konferencë morën pjesë akademikë, profesorë e studiues nga Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera. Në Konferencë mori pjesë edhe zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj Valikaj, e cila mbajti një fjalë përshëndetëse në emër të Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla. Kumtesat e mbajtura nga akademikë, profesorë e historianë të njohur prezantuan gjetje të reja, të bazuara në dokumente, të arshivave, kancelarive apo vepra të autorëve të huaj dhe risollën në vëmendje rrugën e gjatë dhe të vështirë për të mbërritur në aktin e Shpalljes së Pavarësisë. Në fjalën përshëndetëse, zëvendëskryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj Valikaj, nënvizoi se “Shpallja e Pavarësisë është ngjarja më e madhe në historinë shtetërore të popullit shqiptar”. “Gjatë më shumë se një shekull, Shqipëria ia doli të ruajë vetveten përmbi paqëndrueshmërinë; ia doli të fitojë subjektivitetin e denjë ndërkombëtar dhe sot të ecë e vendosur drejt familjes evropiane. Kuvendi përshëndet nismat e Akademisë së Shkencave për hartimin e disa veprave themelore në albanologji, enciklopedisë, historinë kombëtare të gjithëmbarshme të shqiptarëve etj., që do të ndriçojnë qartazi edhe disa nyja të rëndësishme të historisë shtetërore. Kjo histori duhet të ketë karakter integrues dhe duhet të përurojë vlerat më të përveçme të identitetit shqiptar”, tha ajo. “Le të na nxisin këto vlera për progres më të shpejtë në rrugëtimin tonë evropian; po aq edhe për integrim brenda nesh, për ato çështje bazike që kanë nevojë për konsensus kombëtar”, theksoi Felaj.https://ata.gov.al/2022/11/24/konferenca-shkencore-rrugetimi-shqiptar-per-pavaresine/
Konferenca “Rrugëtimi shqiptar për Pavarësinë”
RELATED ARTICLES