Reshjet e shiut kanë pushuar dhe qarkullimi i mjeteve në të gjitha akset nacionale po kryhet normalisht. Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri të ditur sot se kontraktorët po vijojnë punën për mirëmbajtjen e rrugëve, ndërsa në segmentet me prezencë bore si në Qafë Thore-Theth dhe Tamarë-Vermosh është punuar me shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat, pasi temperaturat kanë qenë të ulëta. Reshjet me intensitet të lartë që përfshinë vendin që prej fundjavës së shkuar krijuan vështirësi në qarkullimin e mjeteve kryesisht në zonat veriore dhe verilindore të vendit.