Reshjet e dendura të shiut që priten gjatë ditëve të sotme, kanë bërë që ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile, t’i bëjnë thirrje pushtetit vendor, që të marrë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave. Nëpërmjet një postimi në rrjetin e tij social Facebook, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, ka bërë të ditur se janë 5 qarqe ku pritet të ketë reshje të dendura shiu, përkatësisht në Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër. “Duke marrë në analizë modelet e fundit të hartave meteorologjike, pritet që mbi vendin tonë në orët në vijim në qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, të ketë reshje intensive të cilat mund të sjellin vërshime të përrenjve dhe lumenjve të vegjël dhe përmbytje në zonat urbane. Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile i bën thirrje pushtetit vendor të marrë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave. Ne do të jemi në monitorim të vazhdueshëm të të gjitha situatave që mund të krijohen, duke garantuar ndihmë të menjëhershme në çdo rast emergjence.”- shkruan Peleshi. https://lajme.rtsh.al/artikull/perkeqesimi-i-motit-peleshi-5-qarqet-ku-priten-reshje-te-dendura-shiu-bashkite-te-marrin-masa