Me reshje atmosferike kuptohen të gjitha format e ujit që gjenden në atmosferë në gjendje të ngurtë ose të lëngët dhe që arrijnë sipërfaqen e tokës.
Formimi i vranësirave ndodh kur në atmosferë ka avuj uji të mjaftueshëm por që reshjet të precipitojnë në sipërfaqen e tokës duhet të plotësohen edhe kushte të tjera. Reshjet atmosferike formohen në mënyra të ndryshme në varësi të resë së “ngrohtë” apo “të ftohtë” prej së cilës reshjet prodhohen. Retë konsiderohen të ngrohta kur ato ndodhen në ato lartësi ku temperatura arrin deri 0°C ndërsa retë konsiderohen të ftohta kur një pjesë e shtrirjes vertikale të resë, ndodhet në lartësi ku temperatura është nën 0°C.
Pjesa më e madhe e reshjeve përbëhet nga uji që bie prej reve në formë shiu ose dëbore dhe një masë e vogël përbëhet prej kondensimit të avujve të ujit në sipërfaqen e tokës që quhen dhe reshjet tokësore. Karakteristikat kryesore të reshjeve janë sasia, kohëzgjatja, intensiteti i rënies, shpërndarja e tyre në hapësirë – kohë, etj. Shpërndarja globale e reshjeve varion në hapësirë ku zonat më tëpasura me reshje janë ato ekuatoriale ndërsa më pak reshje bien në zonat polare dhe shkretëtirat subtropikale. Zonat më të lagështa marrin mbi 200 cm reshje në vit, në disa rajone reshjet vjetore arrijnë 300 – 400 cm në vit. Në qytetin indian Sohra, bien rreth 12 metra reshje në vit ndërsa në shkretëtirat e Saharasë dhe Kilit nuk bien reshje prej shumë vitesh.