Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në ditën e dytë të vizitës së tij zyrtare në SHBA, është pritur në Departamentin Amerikan të Shtetit nga i dërguari i Posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ku ka ka shprehur qëndrimin e PDK-së se rreshtimi dhe koordinimi i Kosovës me SHBA-në është pa alternativë. Në njoftimin për media bëhet e ditur se kreu i PDK-së e ka falënderuar Escobar për të gjitha etapat e mbështetjes së palëkundur amerikane për Kosovën. Në këtë takim, Krasniqi tha se SHBA i ka dhënë dhe i jep Kosovës mbështetje të vazhdueshme në procesin e integrimit dhe fuqizimit në arenën ndërkombëtare, përfshirë synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, BE dhe OKB. “Z.Escobar e sigurova se qëndrimi i popullit të Kosovës, e pa dyshim edhe i PDK-së si lidere e opozitës, për ruajtjen dhe fuqizimin e raporteve bilaterale dhe strategjike ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve është i padiskutueshëm dhe i pandryshueshëm. Kur Shtëpia e Bardhë është adresa dhe kur aleanca me SHBA-të është rruga, afirmimi dhe suksesi kombëtar e shtetëror i Kosovës është destinacion i pashmangshëm”, tha Krasniqi. Kreu i PDK-së e ka siguruar Escobar se PDK do ta ofrojë gjithë mbështetjen dhe ndihmën e saj për çdo çështje që prek interesin shtetëror të Kosovës. “Gjatë takimit diskutuam edhe për situatën dhe sfidat aktuale për sigurinë e Kosovës dhe domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve në dialog me Serbinë, për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse, me njohjen reciproke në qendër”, tha Krasniqi. Ai tha se suksesi i Kosovës që nga çlirimi, pavarësia dhe shtetndërtimi është bërë falë koordinimit të ngushtë me SHBA-të.https://ata.gov.al/2022/11/17/krasniqi-takon-escobarin-rreshtimi-me-shba-ne-pa-alternative/