Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi tha sot se nuk ka ndonjë marrëveshje për targat, derisa ka shtuar se në Bruksel kanë diskutuar elemente për mundësi të daljes nga kriza, por pa ndonjë dakordim. Bislimi u shpreh se nuk e di çfarë do të ndodhë pas 21 nëntorit kur pritet të hyjë në fuqi vendimi i qeverisë për të gjobitur ngasësit e veturave me targa të paligjshme, duke theksuar faktin se aktualisht janë në bisedime. Pasi u kthye nga Brukseli, Bislimi nuk ka dhënë detaje rreth takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. “Nuk ka asnjë marrëveshje për targat… Nuk ka propozim të Bashkimit Evropian, jemi duke diskutuar, nuk mund të diskutoj tash këtu opsionin që është diskutuar atje sepse nuk kishte me qenë opsion, duhet pak të shtojë seriozitetin… Ka elemente që kemi diskutuar për mundësinë e daljes nga kriza, por nuk ka dakordim dhe nuk ka logjikë të diskutohet në publik… Nuk jam Nostradamus, jam zëvendëskryeministër. Nuk e di çka do të ndodhë të hënën, sepse ne jemi në diskutime”, u shpreh Bislimi para gazetarëve. Derisa ka marrë pjesë në një diskutim të organizuar nga Zyra e BE-së rreth raportit të zgjerimit për Kosovën, Bislimi është përgjigjur shkurt rreth takimit të djeshëm në Bruksel ku ka theksuar se nuk është takuar me përfaqësuesin e palës serbe, Petar Petkoviç. “Takimi në Bruksel ka qenë vetëm unë me zotin Lajçak. Rrjedhimisht, çdo raportues që ka raportuar për zhvillimet në Bruksel ka dezinformuar, nuk ka raportuar, por ka dezinformuar për arsye se unë nuk jam dëgjuar me asnjë prej gazetarëve. Asgjë që është thënë në media nuk përkon, është thjesht produkt i imagjinatës së gazetarit, mendoj që te gazetaria e mirëfilltë imagjinata duhet të jetë zero, objektiviteti maksimal. Është edhe më shumë jo serioze pastaj kur mediet e tjera kanë përcjellë të njëjtat dezinformata. Bislimi është takuar me Petkoviçin. Petkoviç nuk ka qenë fare në Bruksel”, ka thënë Bislimi. Derisa është pyetur nëse qeveria është e brengosur për tensione të mundshme në veri pas 21 nëntorit, Bislimi ka thënë se hapat që janë duke i ndërmarrë janë me qëllim të vendosjes së ligjit pa krijuar tensione. “Mendoj që është shumë jo serioze me thënë a brengoset qeveria që kam e pasur ndonjë tension, ky është niveli maksimal i jo seriozitetit. Ne brengosemi për gjëra edhe shumëfish më të vogla. Por duhet bërë dallimin mes rrafshit ku ne brengosemi dhe rrafshin ku ne shpresojmë që do të ndodhë diçka, sepse një pjesë e madhe e opinionit publik, por edhe politikë-bërjes, por shpresojnë që do të ndodhë diçka që pastaj ta adresojnë gishtin. Kjo është shumë rrezik sepse nënkupton një dashuri shumë minimale për vendin ose mos dashuri për vendin. Të gjithë hapat që jemi duke i ndërmarrë, është që të vendoset ligji, por mundësisht pa u krijuar tensione”, tha Bislimi. Lidhur me zgjedhjet në katër komunat veriore të vendit, zëvendëskryeministri i Kosovës ka thënë se serbët atje e kanë mundësinë të votojnë për ata që promovojnë interesat e komunitetit dhe jo ata të klaneve të caktuara të politikë- bërjes në Beograd. “Lista Serbe ka qenë pjesë e institucioneve me vite. Unë kam qenë zëvendëskryeministër dhe jam ende që 18 muaj. Kam zero takime me Rakiç, zero kërkesa të tij për projekte që mbrojnë apo avancojnë interesat e komunitetit serb dhe zero iniciativa nga Lista Serbe në Parlament. Mendoj që ky është një shans i artë për ju (serbët e Kosovës) që të zgjidhni ata mekanizma të cilët më të vërtetë i promovojnë interesat e komunitetit e jo interesat e klaneve të caktuara të politikë-bërjes në Beograd”, tha Bislimi. Ndërsa ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka ftuar të dyja palët që të përmbahen nga çdo gjuhë që dërgon në dhunë, ndërsa për çështjen e vizave ka thënë se pret një vendim deri në fund të këtij viti. “Jam inkurajuar nga deklarimet, përfshirë edhe të kryeministrit, se ekziston një mundësi për ta përmbyllur dialogun me një marrëveshje gjithëpërfshirëse në dy vitet e ardhshme dhe do të doja ta shoh këtë, por kjo është një çështje që është diçka që si Prishtina, edhe Beogradi, duhet ta shtyjnë përpara. Për liberalizmin e vizave, nuk dua ta komentoj tepër, por e përgëzoj Presidencën Çeke që e ka vënë në agjendën e Këshillit. Ka pasur dy takime të grupit punues, të cilat ishin mjaft konstruktive kështu që kam besim të plotë se do të merret një vendim nga Këshillit për vizat para përfundimit të këtij viti. Kështu që është diçka që do të merret një vendim gjatë vitit 2022”, u shpreh ai.https://ata.gov.al/2022/11/16/bislimi-ska-marreveshje-per-targat/