Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në fjalën e saj në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që po mbahet në Shkup deklaroi se lobimi pranë BE-së për sigurimin e financimit të Korridorit Tetë është mjaft i rëndësishëm. Zv/kryeministrja vuri në dukje se kosto e ndërtimit të hekurudhës dhe autostradës, pjesë të Korridorit Tetë, janë të rënda për buxhetet e dy shteteve. “Korridori Tetë është një nga projektet më të rëndësishme dhe vitale për dy vendet tona. Por edhe dy vende të BE, Italia dhe Bullgaria kanë shprehur dëshirën për të na mbështetur. Do të na ndihmonte zëri i tyre. Korridori i Tetë është i rëndësishëm jo vetëm për shkak të ndërlidhjes së transportit rrugor me atë hekurudhor, por edhe për shkak të çështjeve të sigurisë që sot ngrihen, pasi do të lidhte Mesdheun me Detin e Zi. Ne besojmë se zëri i këtyre dy shteteve, pjesë e BE-së, do të na ndihmojë që ky projekt të përfshihet në Core Network (që është rrjeti kryesor që përfshin lidhjet më të rëndësishme, duke lidhur nyjet më të rëndësishme dhe do të përfundojë deri në vitin 2030). Përfshirja na jep mundësinë që të aplikojmë në thirrjet e ndryshme për të siguruar financim”, tha Balluku. Korridori Tetë, është një nga dhjetë “korridoret trans-evropiane” të cilat janë konceptuar për të lehtësuar shkëmbimin e mallrave, njerëzve, naftës dhe furnizimeve me energji midis vendeve të BE-së, shteteve të Ballkanit që kanë dalje në Detin e Zi dhe Detin Kaspik dhe shteteve të Azisë Qendrore. Ky korridor nis nga portet italiane të Barit dhe Brindizit, në portin e Durrësit dhe më pas vazhdon drejt Tiranës, Shkupit dhe Sofjes, duke mbërritur deri në portet e Burgasit në Varna në Detin e Zi.https://ata.gov.al/2022/11/14/balluku-korridori-8-te-perfshihet-ne-core-network/