Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ranë dakord sot për bashkëpunim në projekte të rëndësishme, që kanë të bëjnë me infrastrukturën rrugore, hekurudhore, ndërtimin e Portit të Thatë në Strugë, si dhe hapjen e një pike të re doganore. Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, në fjalën e saj në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive që po mbahet në Shkup tha se sinergjia midis dy qeverive përbën një element të rëndësishëm për të forcuar zërin në Bashkimin Evropian. “Ka qenë e vështirë pasi thirreshim në tryezat e BE-së, por nuk konsiderohej mendimi si dhe nuk konsiderohej fakti që duhet të ndihmoheshim. Fondet që u rialokuan nga Komisioni Evropian janë fondet e IPA-s për të na dhënë një mundësi sa i përket mbështetjes financiare që po ju japim qytetarëve tanë, por nga ana tjetër në fillim të vitit 2023 do të rishikohet një paketë sa i përket projekteve të reja me të cilat do të konkurrojmë me njëri-tjetrin, por unë besoj se do të gjejmë gjuhën e përbashkët për të konkurruar në mënyrë rajonale”, tha Balluku. Balluku theksoi se në rast se strategjitë e të dy vendeve nuk do të jenë të mirë studiuara, që të ndikojnë jo vetëm zhvillimin e ekonomik dhe energjetik të secilit prej vendeve por të rajonit, nuk do të kemi zgjidhje permanente. Sipas Ballukut, situata gjeopolitike me agresionin rus në Ukrainë, rritja e çmimeve stratosferike ku një megavat/orë shitet 10 herë më shtrenjtë se në vitin 2021, treguan se askush në Evropë nuk ishte i përgatitur. Ndaj, shtoi ajo, sot nuk flitet për çmimin, por për mundësinë e sigurimit të sasive energjetike që shërbejnë për mbarëvajtjen ekonomike dhe nevojat bazike të vendeve. “Duke patur parasysh ekspozimin e vendeve, ndaj kësaj situate, një nga marrëveshjet që firmosim sot është ajo e bashkëpunimit energjetik. Është një nga marrëveshjet më të rëndësishme, pasi nuk është thjeshtë një situatë krize apo energjetike që lidhet me ekonominë, por me sigurinë rajonale të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Balluku. Zv/kryeministrja Balluku vuri në dukje se dy vite më parë Shqipëria ka nisur një projekt të rëndësishëm për diversifikimin e burimeve të energjisë. “Kemi nisur një projekt ambicioz që ka të bëjë me gazin e lëngshëm amerikan, i cili do të vijë në Portin e Vlorës. Por sot është kthyer rajonal dhe më gjerë, pasi përveç dy kompanive amerikane Exxonmobile dhe Excelerate Energy, janë bashkuar edhe disa kompani të mëdha si ENAGAS-i spanjoll apo “TOTAL”-i francez”, tha ajo. Zv/kryeministrja shtoi se është rënë dakord që edhe në këtë projekt të bashkëpunohet me Maqedoninë e Veriut. “Kemi arritur të gjejmë dakordësi për bashkëpunim edhe në këtë projekt, që përveç gjenerimit të energjisë përmes termocentralit të Vlorës, ka si synim injektimin e gazit të lëngshëm dhe në tubin transmetues të TAP-it, çka e kthen rajonin në një hub të rëndësishëm për shpërndarjen e gazit të lëngshëm”, deklaroi Balluku.https://ata.gov.al/2022/11/14/balluku-bashkepunim-energjetik-mes-shqiperise-dhe-maqedonise-se-veriut/