Kërkesa konsumatore e qëndrueshme, rritja e punësimit dhe e pagave, si dhe pritjet për norma inflacioni të larta, po zgjerojnë bazën e presioneve inflacioniste në ekonominë shqiptare. Raporti i politikës monetare për tremujorin IV të vitit 2022 i Bankës së Shqipërisë nënvizon se “inflacioni në ekonominë shqiptare u rrit në nivelin 7.9% në tremujorin e tretë të vitit, nga mesatarja prej 6.7% e shënuar një tremujor më parë, ndikuar nga çmimet e larta të ushqimeve dhe të naftës”. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë vlerëson se, kërkesa konsumatore u shfaq rezistente ndaj goditjeve, mbështetur nga rritja dinamike e punësimit dhe e pagave, nivelet e larta të kursimeve dhe paketat e rezistencës sociale. Në veçanti, tregu i punës është përmirësuar me hapa të shpejtë prej fillimit të vitit 2021, duke shënuar rritje të punësimit, rënie të shkallës së papunësisë dhe rritje të pagave në sektorin privat. Banka e Shqipërisë parashikon se inflacioni do të mbetet i lartë deri në fillim të vitit 2023, por ai parashikohet të ulet gradualisht, mbështetur edhe nga normalizimi i politikës monetare në vend, që do të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit pranë objektivit 3% në gjysmën e parë të vitit 2024. BSH thekson se ekonomia shqiptare pritet të vijojë rritjen në pjesën e mbetur të vitit dhe gjatë vitit 2023, por ritmet e rritjes do të vijnë në ngadalësim. Sipas BSH-së, “rritja ekonomike do të vazhdojë të mbështetet nga disa faktorë. Bilancet e shëndetshme financiare dhe rritja e kredisë pritet të mbështesin zgjerimin e konsumit dhe investimeve. Gjithashtu, tregu dinamik i punës pritet të mbështesë buxhetet e familjeve në përballimin e rritjes së kostove të jetesës. Turizmi pritet të ruajë trendin e tij pozitiv, duke mbështetur sektorët e ndërlidhur me të dhe rritjen ekonomike”.https://ata.gov.al/2022/11/10/bsh-konsumi-i-ka-rezistuar-rritjes-se-cmimeve/