Saturday, October 19, 2024
HomeSPORT-KULTURE-ARTKULTURE105-vjetori i ndarjes nga jeta i patriotit Themistokli Gërmenji

105-vjetori i ndarjes nga jeta i patriotit Themistokli Gërmenji

Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot 105-vjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit dhe luftëtarit shqiptar Themistokli Gërmenji (Korçë, 1871 – Selanik, 9 nëntor 1917). Themistokli Gërmenji ishte veprimtar i lëvizjes kombëtare dhe demokratike para dhe pas Pavarësisë së Shqipërisë. Lindi në Korçë, ku mori mësimet e para. Më 1892 mërgoi në Rumani, ku punoi në fillim çirak e më pas u mor me tregti. U lidh me shoqëritë patriotike “Drita” e “Dituria” dhe u përfshi në veprimtarinë e tyre atdhetare. Pas Revolucionit xhonturk të korrikut 1908, hoteli “Liria” në Manastir, pronë e vëllezërve Themistokli dhe Telemak Gërmenji, u bë qendër e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Në vitin 1911 Themistokli Gërmenji shkoi në Itali, ku u lidh me rrethet arbëreshe, pastaj kaloi në Korfuz, ku u aktivizua në një qendër patriotike shqiptare e më pas më 1912 u vu në krye të një çete luftëtarësh të armatosur, që vepronte në krahinën e Korçës. Në vitin 1912 bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit dhe më 1913-1914 kreu detyra të rëndësishme në administratën e shtetit të pavarur shqiptar. Në shtator 1914 ai shkoi në Rumani dhe në janar 1915 në Bullgari, ku botoi revistën “Biblioteka Zëri i Shqipërisë”. Në vitet 1916-1917 u kthye në Shqipëri, ku luajti rol kryesor për nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916, me të cilin u shpall Krahina “Autonome” e Korçës. Fitoret e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare e bënë Themistokli Gërmenjin objekt goditjesh nga politikanë të huaj, që mbanin qëndrim armiqësor ndaj Shqipërisë. Ata trilluan ngjarje të rreme për veprimtarinë e tij si “agjent” i austro-hungarezëve, në bazë të të cilave u dënua me vdekje nga një gjykatë ushtarake franceze në Selanik dhe u pushkatua.https://ata.gov.al/2022/11/09/105-vjetori-i-ndarjes-nga-jeta-i-patriotit-themistokli-germenji/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments