Kryeministri Albin Kurti priti sot në takim ambasadorin jo rezident të Japonisë për Kosovë, Akira Mizutani, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin e deritanishëm dhe mundësitë e reja ndërmjet dy vendeve mike. Kurti me këtë rast shprehu falënderimin e tij për partneritetin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë për shtetin dhe popullin e Kosovës. Nëpërmjet ndihmës dhe asistencës në fusha, si mjedisi, shëndetësia, siguria e ushqimit, menaxhimi i pyjeve dhe menaxhimi i katastrofave natyrore, Japonia ka prekur drejtpërdrejt qytetarët e Republikës, deklaroi kryeministri Kurti. Për Japoninë, Republika e Kosovës është partneri i besueshëm në Ballkanin Perëndimor, ndërkaq për kompanitë japoneze, mundësi shumë e mirë për investime, tha ndër të tjerash kryeministri Kurti. Ambasadori japonez, Mizutani, tha se Japonia vlerëson lart qëndrimin e Kosovës ndaj luftës në Ukrainë, duke shtuar se Japonia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën me të cilën ndanë vlera dhe qëndrime të përbashkëta.https://ata.gov.al/2022/11/08/mizutani-japonia-do-te-vazhdoje-te-mbeshtese-kosoven/