Dy partitë kryesore politike në SHBA simbolizohen nga dy kafshë, elefanti për republikanët dhe gomari për demokratët. Dy kafshët shfaqen në çdo cikël zgjedhor, me ilustrime të gomarëve dhe elefantëve që shfaqen në karikaturat e panumërta politike, reklamat e fushatës, përfshirë edhe në internet. Simbolet e këtyre dy kafshëve datojnë në shekullin XIX, rreth 150 dhe 200 vjet më parë. Gjatë fushatës presidenciale të vitit 1828 të Andrew Jackson, i cili u bë presidenti i shtatë i SHBA-së, kundërshtarët e tij e etiketuan atë me një term të pahijshëm duke e quajtur atë (jackass) që është një sinonim i fjalës “gomar”. Në vend që të refuzonte termin poshtërues, Jackson e pranoi atë dhe në vend që të ofendohej, ai u argëtua me këtë etiketim dhe përdori imazhin e një gomari në posterat e fushatës së tij. Jackson, më pas mposhti presidentin e atëhershëm John Quincy Adams, duke u bërë kështu presidenti i parë demokrat i SHBA-së dhe duke përdorur gomarin si simbol të partisë. Megjithatë, u deshën disa dekada përpara se gomari të bëhej sinonim i të gjithë Partisë Demokrate, kur karikaturisti politik, Thomas Nast ndihmoi në popullarizimin e simbolit duke e bërë atë në karikaturat e tij gjatë viteve 1870. Përdorimi i elefantit nga republikanët pati një rrugëtim tjetër. Vetë Partia Republikane u formua në vitin 1854 dhe gjashtë vjet më vonë, Abraham Lincoln u bë anëtari i saj i parë i zgjedhur në Shtëpinë e Bardhë, në vitin 1860. Gjatë Luftës Civile Amerikane, e cila filloi në vitin 1861 gjatë mandatit presidencial të Lincoln, u shfaq imazhi i një elefanti, si një simbol i republikanëve në një karikaturë politike dhe një gazetë ilustrimi. Ushtarët përdorën termin “të shohësh elefantin” si një shprehje që do të thotë të përjetosh luftimet dhe Thomas Nast më vonë e përdori kafshën në karikaturat e tij politike që portretizonin Partinë Republikane. Në vitin 1874, Nast përdori elefantin në revistën “Harper’s Weekly” dhe ky ishte momenti kur elefanti filloi të pranohej si simbol i Partisë Republikane duke u bërë sinonim i partisë.https://ata.gov.al/2022/11/09/shba-pse-elefanti-dhe-gomari-jane-simbolet-e-republikaneve-dhe-demokrateve/