Zëvendësministri i Jashtëm polak, Arkadiusz Mularczyk i ka bërë thirrje kancelarit gjerman, Olaf Scholz, të fillojë dialogun për dëmshpërblimet për dëmin që Gjermania i shkaktoi Polonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të dielën, Mularczyk mori pjesë në ceremonitë përkujtimore të 80-vjetorit të vrasjeve gjermane të civilëve në fshatin Grezowka, në Poloninë lindore. “Nga ky vend, ku u vranë fëmijë dhe gra të pafajshëm, i bëj thirrje kancelarit të Republikës Federale të Gjermanisë që të dialogojë për këtë çështje dhe të rregullojë njëherë e mirë çështjen e dëmeve për të gjitha pasojat e Luftës së Dytë Botërore për kombin dhe shtetin polak”, tha Mularczyk. Mularczyk drejtonte një ekip që përgatiti një raport gjithëpërfshirës dëmet e Luftës së Dytë Botërore të shkaktuara nga Gjermania dhe së fundmi është emëruar zëvendësministër i Jashtëm, puna e të cilit fokusohet në marrëdhëniet evropiane dhe gjermane. Më 1 shtator, qeveria polake prezantoi një raport gjithëpërfshirës që detajonte humbjet materiale të Polonisë gjatë luftës së bashku me një zotim për të kërkuar dëmshpërblim nga Gjermania në vlerën prej 1.3 trilion euro. Më pas, Ministria e Jashtme e Polonisë i dërgoi një notë diplomatike Gjermanisë duke kërkuar kompensim për humbjet e luftës. Megjithatë, Gjermania deklaroi se çështja e dëmshpërblimeve për Poloninë është e mbyllur.https://ata.gov.al/2022/11/07/varshave-polonia-i-ben-thirrje-gjermanise-qe-te-paguaje-demshperblimet-e-luftes-se-dyte-boterore/