Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi sot në parim Paketën Fiskale që do të nisë zbatimin në vitin 2023. Paketa Fiskale 2023, sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, synon të rrisë miradministrimin e të ardhurave dhe të përafrojë legjislacionin tatimor me direktivat e Bashkimit Evropian, ashtu si edhe të reflektojë disa korrektime në ligjet aktuale, sipas rekomandimeve të FMN dhe diskutimeve me grupet e interesit. Ndryshimet në ligjin “Për procedurat tatimore”, propozojnë ashpërsimin e masave për rastet kur evidentohen mosdeklarime punonjësish, fshehje e pagave apo edhe mosdeklarim të kontributeve të sigurimeve shoqërore. Nga ana tjetër, është propozuar ashpërsim i penaliteteve për rastet e mosshoqërimit të mallrave me faturë, por kjo vetëm për rastet e biznesit të madh. Në ligjin “Për akcizat”është propozuar unifikimi i akcizës për birrën, për prodhuesit vendas e të huaj, pavarësisht sasisë së prodhimit. Sipas MFE-së, kjo masë do të çojë nivelin e akcizës nga 360 lekë/HL, në 710 lekë/HL/shkallë alkoolometrike. Me ligjin aktual, prodhuesit me kapacitet prodhimi nën 200 mijë hektolitra paguajnë 15 lekë akcizë për litër, ndërsa mbi këtë kufi 30 lekë për litër. Po ashtu, është propozuar përjashtimi nga TVSH-ja i projekteve për fondet IPA, përjashtimi nga TVSH-ja i energjisë që do të trajtohet nëpërmjet bursës së energjisë, e cila shumë shpejt, brenda këtij viti do të fillojë të funksionojë. Përmes këtij p/ligji propozohet edhe përjashtimi nga TVSH-ja, i druve të zjarrit dhe paletave në import, po ashtu edhe në tregun e brendshëm, si një masë ndihmëse për qytetarët në kushtet kur po përpiqemi të mbajmë të pandryshuar çmimet e energjisë dhe të subvencionojmë qytetarët dhe bizneset e vogla. Paketa fiskale ka një efekt të përgjithshëm në të ardhurat e buxhetit prej rreth 16.6 miliardë lekë. Pas diskutimeve në parim në komisionet parlamentare, projektbuxheti 2023 si dhe Paketa Fiskale që e shoqëron do të diskutohen të mërkurën në seancë plenare, për tu rikthyer sërish në komisionet parlamentare për shqyrtimin nen për nen.https://ata.gov.al/2022/11/07/miratohet-ne-parim-paketa-fiskale-per-vitin-2023/