Ndërpritet financimi i projekteve me risk të lartë mosrealizimi

0
9

Ministria e Financave dhe Ekonomisë po piloton një sistem të ri, me qëllim monitorimin më të mirë të proceseve të prokurimit publik. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, se ecuria e projekteve do të analizohet çdo muaj. “Ecuria e projekteve do të analizohet çdo muaj, në nivel projekti dhe jo më në nivel programi. Është ndërlidhur database e buxhetit me atë të prokurimeve publike dhe Thesarit, me qëllim që për çdo projekt të kemi informacionin se në çfarë pike të prokurimit ndodhet projekti dhe a ka rrezik për zbatimin e këtij projekti brenda vitit kalendarik fiskal”, tha Ibrahimaj. Sipas saj, ky projekt ka filluar të pilotohet këtë vit dhe nga 1 janari 2023 do të jetë plotësisht funksional. “Ministria do të bëjë një analizë mujore të projekteve që kanë rrezik për të mos u zbatuar gjatë vitit dhe me rishikimin e buxhetit do të ndërpriten ato projekte që kanë risk të lartë mosrealizimi”, u shpreh ministrja. Deri më tani, Ministria e Financave dhe Ekonomisë shfrytëzonte informacionin e marrë nga sistemi i Thesarit për menaxhimin e investimeve publike, informacion që përfshinte planin, alokimin, realizimin dhe pagesat e kryera për kontratat, të cilat regjistrohen në Thesar brenda 5 ditëve nga momenti i lidhjes së kontratës. Me zbatimin e manualit, tashmë informacioni që do të disponojë MFE përfshin edhe periudhën kohore nga momenti i shpalljes së procedurës së prokurimit e deri në lidhjen e kontratës mes autoritetit kontraktor dhe operatorit ekonomik, informacion që gjendet në APP. Në këtë mënyrë, MFE do të ketë informacion të plotë për investimet publike në të gjitha hallkat, i cili do të ndikojë edhe në vendimmarrjen e saj sa i përket ndryshimit të buxhetit.