Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier vuri në pikëpyetje taktikat e fundit të përdorura nga protestuesit e klimës teksa vizitoi qytetin japonez të Kiotos, vendlindja e një marrëveshjeje kyçe mjedisore. Steinmeier vlerësoi rritjen e ndërgjegjësimit publik për çështjet mjedisore ndërsa bëri thirrje për masa vendimtare në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Megjithatë, ai vuri në pikëpyetje nëse protestat që përfshinin hedhjen e ushqimit në piktura dhe ngjitjen e objekteve ose ndërtesave në trupin e tyre ishin efektive, në lidhje me protestat e fundit në Gjermani dhe në mbarë Evropën. “Pyetja është nëse ajo që ne po shohim këto ditë, që pikturat e çmuara po hidhen me ushqime apo njerëzit po rrinë në rrugë, e ndihmon vërtet qëllimin e klimës”, tha Steinmeier. “Kam frikë se më tepër, kjo vë në pikëpyetje mbështetjen e gjerë sociale për mbrojtjen vendimtare të klimës, ose e thënë ndryshe na heq mundësinë për të rritur edhe më shumë këtë mbështetje”, shtoi ai. Gjatë vizitës së tij në qytetin e lashtë perandorak, Steinmeier kujtoi miratimin e Protokollit të Kiotos për të reduktuar emetimet e gazrave serrë. “Fryma e Kiotos duhet të jetojë”, tha presidenti gjerman në fjalimin e tij në Universitetin Doshisha. “Ne nuk duhet të mbetemi prapa në zbatimin, pavarësisht nga krizat e shumta. Përkundrazi, ne duhet të shkojmë edhe më tej”, paralajmëroi Steinmeier. Presidenti gjerman shprehu besimin se samiti i ardhshëm botëror i klimës COP27 në qytetin turistik egjiptian, Sharm el-Sheikh do të ruante ambicien për të përmbushur angazhimet e Parisit dhe Glasgout. Përmes nënshkrimin e Protokollit të Kiotos në 1997, palët ndërkombëtare u angazhuan për herë të parë në bazë të ligjit ndërkombëtar për të reduktuar emetimet e gazrave serrë.http://ata.gov.al/2022/11/03/japoni-steinmeier-masa-vendimtare-ne-luften-kunder-ndryshimeve-klimatike/
Masa vendimtare në luftën kundër ndryshimeve klimatike
RELATED ARTICLES