Saturday, November 23, 2024
HomeSHKENCA DHE JETAForum shkencor për COVID-19 në Akademinë e Shkencave

Forum shkencor për COVID-19 në Akademinë e Shkencave

Akademia e Shkencave të Shqipërisë mbajti forumin IV shkencor ndërdisiplinor “Pandemia COVID-19 dhe pasojat e saj në shëndet dhe shoqëri”. Në të morën pjesë specialistë të njohur në fushat e fushat përkatëse, të cilët komunikuan eksperiencat e tyre, si dhe u nxorën disa konkluzione me rëndësi për të ardhmen sidomos për sa i përket mësimeve që duhen nxjerrë nga kjo pandemi për të ardhmen. Në mënyrë të veçantë u diskutua dhe për strategjitë e mjekimit në këtë infeksion të ri viral si; përdorimi sa më racional i kortikosteroideve, antikoagulantëve, antibiotikëve, si dhe i mjeteve diagnostikuese, si testimet virale apo përdorimi i imazherisë. Në forum u paraqitën dhe rezultatet kryesore të fazës IV (verë 2022) të studimit të Akademisë se Shkencave të Shqipërisë mbi seroprevalencën COVID-19 në popullatën shqiptare. Ky studim, ashtu si dhe tri fazat e tjera të realizuara në një hark kohor 30-mujor që nga fillimi i pandemisë, deri tani nga Qendra Kërkimore e Bioteknologjisë dhe Gjenetikës pranë Akademinë e shkencave të Shqipërisë, u realizua nëpërmjet përcaktimit të antitrupave ndaj virusit SARS-CoV-2 në 2182 individë të të gjitha moshave në popullatën e përgjithshme shqiptare. Nga studimi rezultoi se 92.2% e të gjithë individëve të studiuar kishin të pranishëm në gjakun e tyre antitrupa ndaj këtij virusi. Përqindja e seroprevalencës nuk ishte e njëjtë në të gjitha grupmoshat. Në grupmoshën 1 deri 9 vjeç seroprevalenca ishte 76%. Në moshat më të rritura seroprevalenca rritet me moshën, dhe shkon deri në 94.3% për individët mbi 65 vjeç. Nga të dhënat mbi vaksinimin bie në sy fakti se moshat 1 deri 15 vjeç nuk janë të vaksinuara, ndërsa në moshat e tjera dozën e tretë të vaksinës e kanë kompletuar vetëm 22.5% e të gjithë personave të vaksinuar, dozën e dytë e kanë bërë 73.5% prej tyre ndërsa 4% kanë bërë vetëm dozën e parë. Seropozitiviteti për antitrupa anti-SARS-CoV-2 dëshmon për një përgjigje imunitare si pasojë e infektimit natyral me virusin ose nga vaksinimi. Por kjo përgjigje imunitare jo detyrimisht nënkupton mbrojtje imunitare ndaj këtij virusi. Sidoqoftë, niveli 92.2% i seroprevalencës në popullatën shqiptare duket se shoqërohet aktualisht me një ekuilibër “dinamik” midis imunitetit kolektiv dhe përhapjes së infeksionit COVID-19 dhe ky ekuilibër ka sjellë si pasojë ulje të ndjeshme të numrit të rasteve me COVID-19 në popullatë. Por ky ekuilibër mund të prishet lehtë në favor të infeksionit si pasojë e 3 faktorëve kryesorë: Uljes së imunitetit, kryesisht atij humoral, me rënie të antitrupave mbrojtës si pasojë e kalimit të kohës pas bërjes së vaksinës ose infektimit të fundit. Shfaqjes së varianteve të reja virale që e depërtojnë mbrojtjen imunitare nga variantet e mëparshëm. Dhe për shkak të motit të ftohtë me ulje të lagështisë në ajër që favorizojnë grumbullimet në ambiente të mbyllura dhe pa ventilim si dhe transmetueshmërinë e virusit. Në këtë situatë rekomandohet nxitje e fushatës vaksinale në moshat deri 10 vjeç, pasi niveli 76% i seroprevalencës aktuale në këto mosha rrezikon përhapje të infeksionit gjatë stinës së ftohtë. Vaksinimi duhet të fokusohet në radhë të parë tek fëmijët që nuk e kanë kaluar infeksionin, si dhe tek ata fëmijë me sëmundje kronike apo dëmtim të imunitetit për shkaqe të ndryshme. Në individët e rritur, për të parandaluar riinfektimet ndër ata që kanë bërë vaksinën apo kanë kaluar infeksionin më larg se 6 muaj përpara, të rekomandohet fort kryerja e dozave përforcuese të vaksinës sidomos në moshat mbi 50 vjeç, si dhe në individët e të gjithë moshave që kanë sëmundje shoqëruese imunodeprimuese, në mënyrë që të parandalohet rënia e imunitetit specifik ndaj virusit SARS-CoV-2.http://ata.gov.al/2022/11/02/forum-shkencor-per-covid-19-ne-akademine-e-shkencave/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments