Prania e disa dronëve mbi Rashkë ka ndezur tensionet Kosovë-Serbi. Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka dhënë urdhër të menjëhershëm për asgjësimin e dronëve, që sipas tij kanë vëzhguar ushtrinë serbe afër Merdares. Ndërsa Kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq ka bërë me dije se avionët MIG të Ushtrisë Serbe janë ngritur pasi dronët kanë filmuar aktivitetet në Zonën e Sigurisë Tokësore. Por deklaratave të palës serbe iu është kundërpërgjigjur Ministri i Mbrojtjes së Kosovës Armend Mehaj. Ky i fundit ka hedhur poshtë pretendimet e Serbisë duke theksuar se janë vetëm pretekste për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Kosovën. “Në lidhje me deklarimin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për gjoja lëvizjen e dronëve të panjohur nga territori i Republikës së Kosovës mbi vendbanimin e Rashkës, njoftojmë qytetarët se këto pretendime janë plotësisht të pavërteta, dhe çfarëdo diskursi i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve; Fillimisht për tentim kthimin e vëmendjes në një temë që nuk është më brengë e qytetarëve të Serbisë, të cilët tashmë kanë pranuar realitetin e ri të shtetit të Kosovës, dhe pakënaqësitë e tyre kanë të bëjnë më tepër me mirëqenien e tyre nën udhëheqjen e Vuçiq sesa me rezultatet e dialogut. Dhe së dyti, tentim destabilizimin e Republikës së Kosovës përmes ngjalljes së frikës tek komuniteti serb, qytetarët tanë, për gjoja masat e dhunshme që priten të ndërmerren nga ana e institucioneve të qeverisë, tek të gjithë ata që përdorin targa ilegale të Serbisë, e të cilat u’a rikujtojmë se janë të tilla, ilegale, pasi janë në kundërshtimin me marrëveshjen e derivuar nga dialogu në mes të dyja palëve, si dhe në kundërshtim me vendimin e qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 28.10.2022, në të cilin është vendosur që procesi i regjistrimit të këtyre mjeteve në targa RKS të bëhet i shkallëzuar në tre faza, deri në përmbylljen e këtij procesi legal dhe legjitim me datë 21 prill 2023”, shkroi Mehaj në rrjetin social Facebook.https://lajme.rtsh.al/artikull/dronet-mbi-rashke-serbia-urdheron-asgjesimin-e-tyre-reagon-ministri-mehaj-nuk-kane-ardhur-nga-territori-i-kosoves