Polonia ka hequr procedurat e thjeshtuara për qytetarët rusë që kërkojnë akses në tregun e saj të punës mes pushtimit të Ukrainës nga Kremlini dhe rrezikut të rritjes së migrantëve nga Rusia, njoftoi ministrja e Familjes dhe Politikave Sociale, Marlena Malag. Malag tha se ajo kishte nënshkruar një dekret sipas të cilit punëdhënësit polakë nuk do të lejoheshin më të punësonin shtetas rusë sipas rregullave të thjeshtuara. “Përballë sulmit rus ndaj Ukrainës dhe rrezikut në rritje të migrimit nga Rusia, ne kemi vendosur të heqim rregullat që e bëjnë më të lehtë për rusët hyrjen në tregun polak të punës”, tha ajo. Malag shtoi se shtetasit rusë që aktualisht punojnë legalisht në Poloni do të mund të vazhdojnë punësimin e tyre, por vetëm deri në skadimin e lejeve të tyre të punës. Procedura e thjeshtuar është një proces i shpejtë i cili u lejon shtetasve të huaj të legalizojnë punësimin e tyre në Poloni brenda shtatë ditëve.http://ata.gov.al/2022/10/29/poloni-qeveria-heq-proceduren-e-thjeshtuar-ne-tregun-e-punes-per-ruset/