Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEEKONOMI4.7 miliardë lekë për indeksimin e ri të pensioneve dhe bonusin e...

4.7 miliardë lekë për indeksimin e ri të pensioneve dhe bonusin e fundvitit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se buxheti i vitit 2023, do të rishikohet duke parë ecurinë e ekonomisë, për të rritur mbështetjen për shtresat më në nevojë, si pensionistët apo ata qytetarë që trajtohen me ndihmë ekonomike. Gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Komisionin e Ligjeve, Ibrahimaj renditi disa nga masat e ndërmarra nga qeveria për të mbështetur shtresat në nevojë në përballjen me inflacionin e lartë të shkaktuar kryesisht nga invazioni rus në Ukrainë, por dhe rritja e çmimit të energjisë në tregjet globale. “Gjatë këtij viti, ndryshe nga sa parashikon ligji, indeksuam 2 herë pensionet dhe indeksimi i dytë ishte gati 2-fish më i lartë se ai në fillim të vitit. Në buxhetin fillestar të vitit 2022 ishte parashikuar vetëm një indeksim. Duke parë ecurinë e ekonomisë ne ndërhymë dhe ne do të ndërhyjmë sërish edhe vitin që vjen nëse do të vijojë të qëndrojë ky nivel inflacioni”, tha ministrja. Sipas saj, kosto në buxhet nga indeksimi me 9.5 % i pensioneve, në 2023-shin llogaritet 8.5 miliardë lekë. Ndërsa 1.5 miliardë lekë janë për indeksimin e ri të parashikuar, sipas ligjit, në 2023-shin. “Nëse do të kemi norma inflacioni po kaq të larta do të rrisim fondin për indeksimin e pensioneve. Për bonusin e fundvitit, fondi në buxhet është 3/5 miliardë lekë“, tha ajo. Ministrja tha po ashtu se gjatë këtij viti, ndihma ekonomike për qytetarët është rritur me 10 %, ndërsa është dyfishuar masa për nënat me 3 fëmijë dhe pensionistët që nuk marrin pension social apo pleqërie. Në vitin 2023 do të nis zbatimin edhe një politikë e re speciale për pagimin e kontributeve shoqërore dhe shëndetësore për nënat me 3 apo më shumë fëmijë, që janë pa punë. Kjo, kur fëmija më i madh është nën 18 vjeç dhe më i vogli nën 5 vjeç. “Kjo politikë kushton 600 milionë lekë dhe bashkë me politikën e rritjes së ndihmës ekonomike, fondi shkon në 2.4 miliardë lekë. Ndërsa efekti në buxhet nga rritja e pagave që u ndërmorën gjatë këtij viti do ti kushtojë buxhetit në 2023-shin 6 miliardë lekë, ndërsa 2.4 miliardë lekë do të jetë fondi për politika të reja pagash”, tha ajo. Gjatë diskutimeve në Komision, deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi që fondet për “shpenzime luksi”, siç i quajti ai fondet për mirëmbajtje dhe blerje pajisjesh, të shkojnë për mbështetjen e shtresave në nevojë. Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se në vitin 2023, paga minimale do të shkojë 36 mijë lekë, nga 34 mijë që është aktualisht. Komisioni i Ligjeve e miratoi në parim projektbuxhetin për vitin 2023.https://ata.gov.al/2022/10/27/ibrahimaj-4-7-miliarde-leke-per-indeksimin-e-ri-te-pensioneve-dhe-bonusin-e-fundvitit/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments