Saturday, November 23, 2024
HomeSOCIALEKOSOVAShqiptarët e Luginës kërkojnë që të jenë pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Shqiptarët e Luginës kërkojnë që të jenë pjesë e marrëveshjes Kosovë-Serbi

Derisa serbët e Kosovës kanë privilegje të shumta të cilat u ka ofruar në vazhdimësi Kushtetuta dhe shteti i Kosovës, në Luginë të Preshevës shqiptarët vazhdojnë të jenë të diskriminuar nga pushteti serb. Liderët shqiptarë të kësaj ane, ditë më parë u pritën në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku kërkuan që çështja shqiptare e Luginës të jetë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi. Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, në “RTK Prime” tha se kanë marrë zotim nga Gabriel Escobar që ai do t’i sugjerojë kolegut të tij evropian Miroslav Lajçak një takim me përfaqësuesit shqiptarë të Luginës. Kamberi: Morëm zotimin e Escobar se do t’i sugjerojë Lajçakut takim me ne “Kemi marrë zotimin nga Escobar se do të bisedoj me Lajçakun dhe do t’i sugjeroj një takim me ne. Ne edhe ashtu i kemi bërë kërkesë për takim dhe presim që kësaj radhe të ketë përgjigje pozitive, pasi çështja e Luginës pashmangshëm duhet të jetë temë e bisedave”, ka theksuar Kamberi. Ai ka thënë se gjatë takimit me Escobar e përsëritën qëndrimin e tyre se është e papranueshme që zyrtarët e BE-së të takohen me liderët serbë të veriut të Kosovës që janë në listën e zezë amerikane, ndërkohë që mohohet çfarëdo takimi me përfaqësuesit shqiptarë. Kamberi tutje ka thënë se kërkesa e shqiptarëve të Luginës së Preshevës gjatë takimeve në Departamentit e Shtetit në Uashington ka qenë përfshirja e çështjes së Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë – Serbi. “Nëse dëshirohet qetësi në Ballkanin Perëndimor dhe nëse dëshirohet normalizim i raporteve Kosovë-Serbi, veç çështjeve problematike mes dy shteteve, çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës është një çështje që mund të prodhojë tensione dhe ne e shohim zgjidhjen duke respektuar parimin e reciprocitetit në të drejta, respektivisht duke ndërtuar standarde të njëjta të trajtimit të pakicave që do të vlenin në të dyja shtetet”, ka shtuar Kamberi. Ai ka thënë se nuk do të ketë normalizim qenësor të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve, nëse Serbia vazhdon me trajtimin e këtillë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me metoda të një diskriminimi perfid e i cili sipas tij po shkon deri në skajshmëri duke e zbrazur Luginën e Preshevës nga rinia shqiptare.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=621125

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments