Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore. Është shpallur edhe si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi nderkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995. Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta gjendet 90 km nga kryeqyteti i Tiranës, 60 km nga Durrësi qyteti-port më i madh, dhe 80 km nga Aeroporti Ndërkombëtar i vetëm në Shqipëri. Ai kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim. Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit. Kjo zonë strehon përqendrimin më të lartë të shpendëve ujore rreth 51 000 individë, dhe rreth 500 çifte folenizues në Shqipëri. 89 specie të ndryshme që përfaqësojnë grupet e molusqeve, insekteve, amfibëve, zvarranikëve, zogjve dhe gjitarëve, të pranishme në zonën e parkut, janë konsideruar si të kërcënuara në Shqipëri. 42 specie i përkasin kategorive shumë të rrezikuara, duke përfshirë rrezik kritik, të rrezikuara dhe vulnerable.Karavasta_Lagoon 002 Zona është e mirënjohur jo vetëm për bukurinë e saj natyrore dhe biodiversitetin, por edhe për aktivitetet tradicionale ekonomike dhe turizmin. Aktivitetet kryesore tradicionale përfshijnë, aktivitetet bujqësore, blegtorale, dhe peshkim etj. Bimët që kultivohen në zonën e Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta përfshijnë, shalqinin, karrotën, lakrën, lulelakrën, brokolin, domaten, pataten, fasulen, llojet e ndryshme të frutave, ulliri, dhe vreshta etj. Blegtoria është një tjetër aktivitet tradicional duke mbarështuar gjedhin dhe delet për produkte bulmeti dhe mish. Peshkimi është një aktivitet i rëndësishëm dhe një burim thelbesor i të ardhurave për disa fshatra përgjatë bregut të lagunës Karavastasë, lumit Seman dhe detit Adriatik.