‘Pranverë në vjeshtë’, mot i qëndrueshëm deri në fund të muajit tetor

0
19

“Një pranverë në vjeshtë”. Kështu e ka cilësuar motin për muajin tetor, meterologia Lajda Porja. Në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, Porja u shpreh se këtë të hënë, temperaturat pritet të shkojnë deri në 29 gradë celcius. Porja nënvizoi se edhe java e fundit e muajit tetor, do të karakterzohet nga një mot i qëndrueshëm. “Tashmë do thoja një pranverë në vjeshtë. Kemi parë që temperaturat kanë qenë shumë të larta edhe në fundjavën e shkuar, madje janë regjistruar vlera 28-29 gradë, vlera që janë afërsisht me fillimin e qershorit. Megjithatë, edhe dita e sotme do jetë nën ndikimin e motit të kthjellët, intervale të gjata me diell. Sot parashikohet që të regjistrohet edhe temperatura 28-29 gradë. Janë temperatura shumë të larta, është java e fundit e tetorit. Moti do jetë i qëndrueshëm deri në fund të muajit, parashikohet që të mos ketë reshje. Temperaturat e ajrit, duke filluar që nga nesër dhe deri në fundjavë, do të pësojnë një ulje të lehtë”, theksoi ajo.