Kryeministri hungarez Victor Orban ka kritikuar Perëndimin për braktisjen e vendit të tij në luftën kundër stalinizmit gjatë shekullit të 20-të, duke folur para një auditori të zgjedhur, në Zalaegerszeg në Hungarinë perëndimore. Duke folur në një festë kombëtare që shënon fillimin e kryengritjes hungareze të vitit 1956 kundër politikave të imponuara nga Bashkimi Sovjetik, Orban tha se Hungaria kishte mësuar nga e kaluara se gjithmonë do të duhej të mbrohej. “Ne u rezistojmë rrethanave të vështira kur është e nevojshme dhe luftojmë kur është e mundur”, tha kryeministri hungarez, i cili kryeson qeverinë konservatore nacionaliste. “Le të mos shqetësohemi për ata që qëllojnë Hungarinë nga hijet apo lartësitë e Brukselit”, tha ai. Lideri i krahut të djathtë të vendit të BE-së ka qenë prej kohësh në mosmarrëveshje me Komisionin Evropian, i cili ka akuzuar vazhdimisht Orban për shpërbërjen e demokracisë. Aktualisht, BE-ja ka pezulluar fondet më vlerë miliarda euro për Hungarinë, për shkak të akuzave për korrupsion dhe shkelje të ligjit të së drejtës. Ndryshe nga rastet e kaluara, Orban nuk mbajti fjalimin e tij për kryengritjen e vitit 1956 në Budapest, këtë vit. Në vend të kësaj, në një vend të siguruar në Zalaegerszeg, ishin ftuar vetëm mysafirë të përzgjedhur. Sipas vëzhguesve, Orban zgjodhi një vend tjetër për shkak të protestave anti-qeveritare të planifikuara sot në Budapest.https://ata.gov.al/2022/10/23/hungari-orban-perkujton-kryengritjen-e-1956-me-kritika-ndaj-be-se/