Sunday, November 24, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIKurset profesionale, financim nga qeveria

Kurset profesionale, financim nga qeveria

Qeveria, nëpërmjet një vendimi, ka përcaktuar procedurat, kriteret dhe rregullat për zbatimin e programeve të formimit profesional, nëpërmjet mbështetjes financiare për kurset e formimit profesional në institucionet publike dhe private. Objekti Kurset e formimit profesional synojnë kualifikimin dhe rikualifikimin e punëkërkuesve, me qëllim përgatitjen për integrim të shpejtë në tregun e punës dhe kanë një kohëzgjatje nga 3 deri në 12 muaj. Nga mbështetja financiare përfitojnë të gjithë punëkërkuesit, si: a) Pjesëmarrësit punëkërkues të papunë financohen në masën 100%, por, në asnjë rast, më të lartë se 300 000 (treqind mijë) lekë të kostos së kursit të formimit profesional; b) Çdo pjesëmarrës punëkërkues, financohet në vlerën 50% të kostos së kursit të formimit profesional, por, në asnjë rast, më të lartë se 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë) lekë. Për personat me aftësi të kufizuara, institucionit të formimit profesional, publik apo privat, i financohen elementet e përshtatjes së arsyeshme, për sa u përket programeve të veçanta të trajnimit, kurrikulës së përshtatur, në përputhje me shkallën dhe llojin e aftësisë së kufizuar, përgatitjen e instruktorëve për të ofruar trajnim të posaçëm për këtë kategori, deri në shumën 200 000 (dyqind mijë) lekë. Kriteret e përgjithshme Çdo institucion që ofron kurse të formimit profesional, konkurron me anë të një kërkese për të përfituar mbështetje financiare. Kërkuesi plotëson kriteret e përgjithshme, si: a) të ketë jo më pak se 3 (tre) vjet përvojë kombëtare ose ndërkombëtare në ofrimin e kurseve të formimit profesional; b) të mos jetë në proces falimentimi ose likuidimi; c) të mos ketë detyrime tatimore të pashlyera; ç) të ketë të paktën 100 kursantë të trajnuar dhe të certifikuar gjatë veprimtarisë së mëparshme të tij; d) të zotërojë një faqe interneti aktive, ku të pasqyrojë të gjithë informacionin e nevojshëm për kursantët, si katalogun e kurseve të ofruara, mënyrën e aplikimit në kurs, datat dhe afatet e zhvillimit të kursit, kurrikulën e kompetencave të kursit dhe, sipas rastit, informacionin për skemën e mbështetjes financiare për kursantët dhe tarifat përkatëse; dh) të ketë lidhur marrëveshje me operatorë tregu për ofrimin e praktikave të punës për kursantët e certifikuar; e) të ofrojë këshillim karriere; ë) në rastin e personit fizik, të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e ndonjë vepre penale. Për personat juridikë, të mos jetë i dënuar organi administrativ, aksionarët ose ortakët. Kursi i formimit profesional Kursi i formimit profesional, i ofruar nga institucioni i formimit profesional, publik apo privat, duhet të plotësojë kriteret teknike, si: a) të jetë i bazuar në një program të njohur, sipas kuadrit ligjor në fuqi, për të cilin kërkuesi zotëron të drejtën e pronësisë, të përdorimit apo, sipas rastit, certifikatë ose licencë; b) të përmbajë si kriter pranimi, të paktën dy nga tri kriteret, e mëposhtme: një testim logjik; një testim teknik/praktik, në përputhje me programin e kursit që ndiqet; një intervistë me një instruktor ose ekspert të fushës specifike, për të cilën zhvillohet kursi; të zhvillohet nga një ose më shumë instruktorë të cilët plotësojnë të paktën dy nga tri kriteret e mëposhtme: të kenë formimin arsimor në fushën për të cilën do të trajnohen kursantët; të kenë përvojë profesionale në fushën për të cilën do të trajnohen kursantët, në përputhje me kriteret e licencimit për kursin përkatës; të kenë të paktën 1 (një) vit përvojë në mësimdhënie ose ofrim trajnimesh në fushën, për të cilën do të ofrohet kursi. Kërkuesi ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje partneriteti me ente shqiptare apo të huaja për plotësimin e kritereve të përcaktuara. Thirrja për konkurrim Thirrja për konkurrim e publikuar nga AKPA-ja përmban kriteret e përgjithshme, teknike dhe të posaçme, nëse ka të tilla, në varësi të programit të miratuar nga ministri përgjegjës për çështjet e punësimit dhe aftësive, kriteret e vlerësimit të kërkesave të dorëzuara, vlerën e mbështetjes financiare, procedurën e konkurrimit, si dhe dokumentet për pjesëmarrjen në programin e mbështetjes financiare përmes këtij vendimi. Kërkesa dhe dokumentacioni për pjesëmarrjen e institucioneve të interesuara të formimit profesional në skemën e mbështetjes financiare dorëzohen nëpërmjet portalit e-Albania. Dokumentacioni Dokumentet që ngarkohen në portalin e-Albania janë, si më poshtë vijon: a) certifikata e regjistrimit të kërkuesit pranë organit shtetëror kompetent; b) dëshmia për gjendjen gjyqësore të anëtarëve të organit administrativ, aksionarit ose ortakut, të personit që ka kompetenca përfaqësuese, vendimmarrëse ose kontrolluese brenda personit juridik; c) dëshmia që kërkuesi nuk është në proces falimentimi ose likuidimi; ç) vërtetimi i lëshuar nga institucioni tatimor përgjegjës për shlyerjen e detyrimeve tatimore dhe kontributeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore; d) pasqyrat financiare të audituara në 3 (tre) vjetëve të fundit; dh) plani i detajuar i biznesit për 3 (tre) vjet; e) deklarimi për numrin maksimal të kursantëve, që kërkohet të mbështeten nëpërmjet skemës së mbështetjes financiare; ë) marrëveshja e partneritetit me entet shqiptare apo të huaja për mbështetjen e kurseve të formimit profesional, nëse ka; f) lista e instruktorëve dhe mënyra e angazhimit të tyre në kursin e formimit profesional, që do të ofrohet në kuadër të skemës së mbështetjes financiare; g) dëshmitë për kualifikimet/certifikimet/ përvojën e çdo instruktori të angazhuar në kursin e formimit profesional, që do të përfshihet në mbështetjen financiare; gj) planin mësimor për çdo kurs, për të cilin kërkohet pranim në skemën e mbështetjes; h) kriteret e pranimit të kursantëve në çdo kurs të formimit profesional, që do të jetë pjesë e mbështetjes financiare; i) listën e mekanizmave për monitorimin dhe vlerësimin e kursantëve, si: provime, sfida teknike apo projekte; j) mekanizmi i ngritur gjatë ose pas përfundimit të kursit të formimit profesional, për këshillimin e karrierës dhe marrëveshjet për ndërlidhjen e kursantëve me operatorët e tregut të punës; k) modeli i certifikatës që individi merr pas përfundimit me sukses të kursit të formimit profesional; l) vetëdeklarimi për numrin e kursantëve të certifikuar gjatë 3 (tre) vjetëve të fundit dhe për shkallën/nivelin e punësimit; ll) tarifa e zbatueshme për secilin kurs, që do të ofrohet në kuadër të skemës së mbështetjes financiare. Dokumentet e përcaktuara në momentin e ngarkimit në portalin e-Albania duhet të jenë: a) në gjuhën shqipe ose të përkthyera në gjuhën shqipe nga përkthyes zyrtarë, në origjinal ose të njësuara me origjinalin; b) në rastet e dokumenteve të huaja, kopje të vërtetuara nga një autoritet publik i juridiksionit të huaj dhe të legalizuara ose të pajisura me vulë apostile, në përputhje me legjislacionin në fuqi për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë. Kualifikimi subjektit Subjekti kërkues kualifikohet për të përfituar mbështetje financiare, nëse kërkesa e dorëzuar prej tij vlerësohet me të paktën 70 pikë për metodologjinë e mëposhtme të vlerësimit: a) Kapacitetet për ofrimin e kursit të formimit profesional, sipas kritereve të përgjithshme dhe teknike, ku përfshihet përvoja, infrastruktura fizike, teknike, platforma dhe licencat, si dhe kapacitetet e stafit trajnues vlerësohen deri në 60 pikë; b) Plani i biznesit vlerësohet deri në 20 pikë; c) Mekanizmi i ngritur për këshillimin e karrierës dhe marrëveshjet për ndërlidhjen e kursantëve me tregun e punës vlerësohen deri në 20 pikë. Penalitetet Kursanti ngarkohet me detyrimin e kthimit të mbështetjes financiare të përfituar, në rastet kur: a) ndërpret pa shkak të arsyeshëm kursin e formimit profesional; b) përjashtohet nga kursi i formimit profesional; c) nuk përmbyll kursin e formimit profesional brenda afateve kohore të parashikuara. Një punëkërkues mund të marrë pjesë vetëm një herë në një kurs formimi profesional. Kursantët, të cilët përfitojnë nga ky vendim kanë detyrimin të qëndrojnë dhe të kërkojnë punë brenda Republikës së Shqipërisë, për një periudhë jo më pak se 2-vjeçare, menjëherë pas mbarimit të kursit, në të kundërt janë të detyruar të kthejnë 100% të vlerës së mbështetjes financiare të përfituar.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments