Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi ka shkaktuar sërish bujë me komentet për presidentin rus Vladimir Putin. Agjencia italiane e lajmeve, LaPresse publikoi audio të asaj që tha se ishte një fjalim i regjistruar fshehurazi nga Berlusconi për anëtarët e parlamentit të ”Forza Italia”-s. Në të, 86-vjeçari thotë se është përsëri në kontakt me Putinin dhe se shefi i Kremlinit e konsideron atë si një nga “pesë miqtë e tij të vërtetë”. “Jam rilidhur me presidentin Putin, shumë i lidhur”, tha ai duke përshkruar se si Putini i dërgoi “20 shishe vodka dhe një letër shumë të ëmbël” për ditëlindjen e tij. Berlusconi tha se ai u përgjigj me një shishe verë italiane dhe me një “letër të ëmbël”. Berlusconi mbushi 86 vjeç më 29 shtator, disa ditë pasi një koalicion i krahut të djathtë, duke përfshirë partinë e tij ”Forza Italia” fitoi zgjedhjet e përgjithshme. Komentet fillimisht u hodhën poshtë si “histori të vjetra” nga të besuarit e Berlusconit, përfshirë ministrin e ardhshëm të Jashtëm të mundshëm, Antonio Tajani. Megjithatë, në regjistrim Berlusconi flet në mënyrë eksplicite për ministrat rusë që thonë se Perëndimi tashmë është në luftë me Rusinë sepse “po i jep Ukrainës armë dhe para”. “Unë nuk mund të shpreh personalisht mendimin tim [për këtë] sepse nëse më pas transmetohet në shtyp do të rezultonte në një fatkeqësi, por jam shumë, shumë, shumë i shqetësuar”, shtoi ai. Të martën në mbrëmje, ”Forza Italia” tha se qëndrimi i Berlusconit për Ukrainën ishte ende në përputhje me atë të Evropës dhe SHBA-së.https://ata.gov.al/2022/10/19/fokus-deklaratat-e-berlusconit-per-putinin-ngrene-shqetesime/
Deklaratat e Berlusconit për Putinin ngrenë shqetësime
RELATED ARTICLES