Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj si dhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u takuan në Uashington, SHBA, me zëvendëspresidentin për Rajonin e Evropës, Alfonso Garcia Mora dhe Rana Karadsheh, drejtore rajonale për Evropën, pranë Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC). Ibrahimaj dhe Sejko, ndodhen në SHBA, si pjesë e delegacionit shqiptar në takimet vjetore të FMN-së dhe BB-së. “Diskutuam mbi rritjen e mbështetjes për sektorin financiar, zhvillimin e mundësive për të financuar investimet e sektorit privat në infrastrukturë, si dhe zgjerimin e financimeve të investimeve të infrastrukturës kritike”, deklaroi ministrja Ibrahimaj. Ibrahimaj njëkohësisht informoi se në qendër të bisedimeve ishte edhe ofrimi nga ana e IFC-së i asistencës financiare dhe teknike për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe krijimi i lehtësirave për aksesin në financë. “Për Shqipërinë, mbështetja e zhvillimit të sektorëve të ndryshëm si prodhimi, peshkimi dhe turizmi do të ndihmonte në rritjen e avantazheve konkurruese”, tha ajo. Gjatë vizitës së saj në Uashington, ministrja Ibrahimaj ka zhvilluar një sërë takimesh me personalitete të larta të FMN, BB si dhe zyrtarë të Departamentit Amerikan të Shtetit.https://ata.gov.al/2022/10/17/asistence-financiare-per-ndermarrjet-e-vogla-dhe-te-mesme/