Këshilltarja politike e Kryeministrit Kurti për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani deklaron se “pas buxhetimit të Luginës së Preshevës nga Republika e Kosovës, emërimi im si këshilltare, do të pasohet me themelimin e zyrës për Luginën e Preshevës”. Në një intervistë për Radio Evropa e Lire për edicionin në gjuhën serbe, Sinani thekson se me rëndësi është fakti që po funksionalizohen dhe zhvillohen institucionet për Luginën e Preshevës edhe në dimensionin rajonal. Në intervistën për gazetarin Branko Vuckoviç, Sinani shprehet se tashmë qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë adresë të posaçme institucionale në Republikën e Kosovës. Sipas saj, krijimi dhe funksionalizimi i infrastrukturës institucionale në shërbim të bashkëkombësve që jetojnë jashtë kufijve administrativ është praktikë e shteteve demokratike; evropiane dhe përtej. Ajo shton se ka 20 vjet që Beogradi zyrtar ka mekanizëm të veçantë qeveritar, buxhet dhe plan e program për Luginën e Preshevës, madje edhe për Kosovën (serbët e Kosovës). “Vuçiç do shtypje të minoriteteve dhe instrumentalizim të bashkëkombasve të tij në fqinjësi në funksion të pushtetit të tij absolut. Ne duam të drejta për minoritetet, reciprocitet për të drejtat e bashkëkombësve në funksion të pushteteve demokratike. Ky është dallim thelbësor”, deklaron Sinani. Ajo nënvizon se Vuçiç do autokraci, ne duam demokraci. Gjatë intervistës, Sinani shprehet se “konteksti aktual gjeopolitik pas pushtimit rus të Ukrainës kërkon një dinamikë më të theksuar, sidomos në çështjet e sigurisë. Pra në këtë drejtim është me rëndësi që Lugina e Preshevës të jetë në fokus të politikave transatlantike perëndimore edhe me përkrahjen e Kryeministrit të Republikës së Kosovës”. Ajo e konsideron të rëndësishme përfshirjen e çështjes së Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi të mbështetur nga Bashkimi Evropian. Një tjetër pikë e rëndësishme thekson ajo, është edhe hartimi bashkarisht më të zgjedhurit e Luginës së Preshevës të një Plani dhe Programi për Luginën e Preshevës që do të adresonte problemet dhe nevojat kryesore të qytetarëve të Luginës, me mbështetjen e Republikës së Kosovës. Sinani deklaron se është Qeveria e Republikës së Serbisë ajo që ka bllokuar dialogun me shqiptarët e Luginës së Preshevës si dhe integrimin e tyre. “Kryeministri Kurti dhe zv.Kryeminsitri Bislimi tashmë kanë ngritur zyrtarisht çështjen e reciprocitetit në të drejta midis serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Serbi në dialogun e Brukselit. Do ta zhvillojmë dhe fuqizojmë edhe më shumë këtë kërkesë legjitime dhe të drejtë”, deklaroi Sinani.
Sinani: Qeveria e Kosovës plan dhe program për Luginën e Preshevës
RELATED ARTICLES