Tuesday, November 26, 2024
HomeSOCIALEEKONOMIDhjetëfishim gjobës për mallrat e pashoqëruara me faturë tatimore

Dhjetëfishim gjobës për mallrat e pashoqëruara me faturë tatimore

Ministria e Financave dhe Ekonomisë propozon dhjetëfishimin e gjobës për mallrat e pashoqëruara me faturë tatimore për tatimpaguesit e tatimit mbi fitimin korporativ. Në draftin e siguruar nga ATSH-ja, në Paketën Fiskale që propozohet të zbatohet në vitin 2023, përcaktohet që tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësinë tatimore të tatimit mbi fitimin korporativ të dënohen me gjobë prej 750.000 lekësh, nga 75.000 lekë që ishte, dhe jo më pak se vlera e TVSH-së së munguar. Në draft, po ashtu përcaktohet që kallëzimi penal për shkeljet në lidhje me mallrat e pashoqëruara me faturë tatimore për të gjithë tatimpaguesit, nuk do të bëhet që në shkeljen e parë siç është aktualisht, por në rast përsëritje. Nga kontrollet e ushtruara në vendndodhjen e biznesit, administrata tatimore ka konstatuar se një pjesë e tatimpaguesve, sidomos ata të regjistruar në Tatimin e Thjeshtuar mbi Fitimin (biznes i vogël), mbajnë pjesërisht ose nuk mbajnë fare dokumentet tatimore të blerjes (faturën tatimore) për mallrat që kanë në inventar. Ligji nr.9920 datë 19.5.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ka përcaktuar qartë detyrimin e çdo tatimpaguesi për mbajtjen e dokumentacionit tatimor, po edhe sanksionet që zbatohen për kundërvajtësit. Mbështetur në nenin 58 të ligjit, tatimpaguesit që mbajnë, tregtojnë, përdorin ose transportojnë mallra, duhet të kenë dokumentet e nevojshme tatimore, që provojnë pronësinë ose kontrollin mbi këto mallra dhe me kërkesën e zyrtarëve të administratës tatimore, i vënë këto dokumente në dispozicion të tyre. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka propozuar një sërë ndryshimesh në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë’. Ndryshimet synojnë politika fiskale që ndihmojnë miradministrimin fiskal. Drafti i cili i është shpërndarë biznesit pritet të kalojë edhe në qeveri dhe më pas të nisë diskutimet në komisionet parlamentare.http://ata.gov.al/2022/10/17/paketa-fiskale-2023-dhjetefishim-gjobes-per-mallrat-e-pashoqeruara-me-fature-tatimore/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments