Linja ajrore gjermane ”Eurowings” njoftoi se është e detyruar të bëjë qindra anulime fluturimesh, nga e hëna deri të mërkurën e ardhshme, për shkak të grevës së dytë të pilotëve brenda pak javësh. ”Nga 400 fluturimet e planifikuara për të hënën, më shumë se 230 pritet të realizohen”, njoftoi të dielën dega e ”Lufthansa”-s. ”Eurowings” pret të operojë më shumë se gjysmën e programit të saj të planifikuar të fluturimeve, të martën dhe të mërkurën. Sindikata ”Vereinigung Cockpit” u ka bërë thirrje pilotëve të ”Eurowings” që të ndalojnë punën nga mesnata (22:00 GMT) e së hënës deri të mërkurën. Sindikata tha se arsyeja ishte një ofertë e pamjaftueshme nga ana e punëdhënësit në lidhje me një marrëveshje kolektive për kushte më të mira pune. Fakti që ”Eurowings” pret të jetë në gjendje të operojë më shumë se gjysmën e fluturimeve të saj të planifikuara, është pjesërisht për shkak të faktit se filialja austriake ”Eurowings Europe” nuk është prekur nga veprimi sindikalist. Linja ajrore ”Eurowings Discover”, e cila operon nga Frankfurt dhe Mynihu, gjithashtu nuk preket. Përveç kësaj, dega e ”Lufthansa”-s po përdor avionë nga kompani partnere që operojnë gjithashtu disa nga fluturimet e tjera të saj. ”Oraret e fluturimeve për të martën dhe të mërkurën do të publikoheshin sapo të bëhet e qartë se sa pilotë raportojnë për detyrë fluturimi pavarësisht thirrjes për grevë”, tha ”Eurowings”. Pasagjerëve iu kërkua të kontrollonin vazhdimisht statusin e fluturimit të tyre nëpërmjet faqes së internetit ose aplikacionit të klientit të ”Eurowings”.https://ata.gov.al/2022/10/16/eurowings-anulon-qindra-fluturime-perpara-greves-treditore-te-piloteve/