Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS) në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Kulturës të Shqipërisë po zbaton programin 4-vjeçar të financuar nga Bashkimi Evropian, BE për Kulturën (EU4Culture): “Rijetëzimi i trashëgimisë kulturore të Shqipërisë në përgjigje të tërmetit të vitit 2019 në Shqipëri, 2020-2024.” Kjo nismë synon të zbusë ndikimin e tërmetit në trashëgiminë kulturore, duke rijetëzuar dhe shtuar vlerën objekteve dhe monumenteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti, e si rrjedhojë duke ndihmuar në nxitjen dhe rimëkëmbjen social-ekonomike të Shqipërisë përmes rritjes së potencialit turistik të vendit. Në kuadrin e skemës së granteve, UNOPS shpalli thirrjen e dytë publike për projekt-propozime për zhvillimin socio-ekonomik lokal nëpërmjet trashëgimisë kulturore. Nëpërmjet kësaj Thirrje për Projektpropozime, programi EU4Culture do të financojë projekte që do të zbatohen nga organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat e tjera jofitimprurëse (OJF-të) e interesuara. Projektet e financuara do të përqendrohen në veprime që synojnë të përmbushin objektivat si, ruajtjen dhe restaurimin e artefakteve dhe rigjallërimin e zejeve të vjetra; Nxitjen e mënyrave të reja dhe inovatore të krijimit të zejeve që frymëzohen nga trashëgimia kulturore e Shqipërisë në territoret e prekura; Mbështetjen për sipërmarrjen e turizmit kulturor; Zhvillimin e produkteve digjitale, aktiviteteve inovatore kulturore dhe krijuese. Grantet do të jepen përmes dy kornizave financimi: Korniza Kryesore e Financimit dhe Korniza e Financimit për Organizatat Rinore. Grantet e dhëna sipas Kornizës Kryesore të Financimit do të variojnë ndërmjet 30,000 USD – 50,000 USD me një kohëzgjatje të pritshme të zbatimit të projekteve nga 6-12 muaj. Grantet e dhëna në kuadër të Kornizës së Financimit për Organizatat Rinore do të variojnë ndërmjet 10,000 – 20,000 USD me një kohëzgjatje të pritshme të zbatimit të projekteve nga 3-6 muaj. Pavarësisht kornizës së financimit, fillimi i zbatimit do të jetë përafërsisht fillimi i vitit 2023. Projektet do të zhvillohen në Tiranë, Rubik, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, në afërsi të zonave të projektit EU4Culture. Pranohen të aplikojnë vetëm subjektet e regjistruara si organizata jo-fitimiprurëse, në përputhje me ligjet në fuqi të Republikës së Shqipërisë. Këto subjekte përfshijnë organizata ose shoqata që operojnë në Sektorët e Kulturës dhe Krijimtarisë si dhe OJQ të tjera jofitimprurëse si: organizatat e shoqërisë civile (OSHC-të); shoqatat e artizanëve; shoqatat e operatorëve turistikë; shoqatat e biznesit; organizatat e biznesit social; qendrat dhe laboratorët e inovacionit të kulturës, biznesit dhe turizmit (vetëm kur janë të regjistruara si jofitimprurëse); institutet kërkimore dhe qendrat akademike (vetëm kur janë të regjistruara si jofitimprurëse). Kushdo që është i interesuar mund të shkarkojë udhëzimet dhe paketën e plotë të aplikimit për Thirrjen në faqen web te programit EU4Culture: https://eu4culture.al/sq/recraft-the-past-build-up-the-future-2/ ose të ndjekë nga afër sesionet informuese më datë 18 Tetor 2022 në Tiranë dhe 20 Tetor 2022 në Rubik. Periudha e aplikimit është e hapur deri më 15 nëntor 2022. Pranohen vetëm aplikimet e dorëzuara në gjuhën angleze.https://ata.gov.al/2022/10/14/celet-thirrja-e-dyte-publike-per-projekte-per-zhvillimin-socio-ekonomik-lokal-permes-trashegimise-kulturore/
Thirrja e dytë publike për projekte për zhvillimin socio-ekonomik lokal
RELATED ARTICLES