Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka kundërshtuar edhe një herë, zëvendësimin e orëve të humbura mësimore, shkaku i grevës së mbajtur në muajin shtator nga ana e mësimdhënësve. Këtë e konfirmoi sërish kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një opinion të shpërndarë për media. Ministria e Arsimit kërkon që orët e humbura të zëvendësohen, përndryshe mësimdhënësit do t’i bartin pasojat. Por një gjë e tillë kundërshtohet nga SBASHK-u. Pasi rikujton se ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, e ka shkelur Kushtetutën e Republikës, deklaron se po shkelet ligji. “Kur ka ligje dhe ato shkelen, nuk ke si të thuash ndryshe veç se po instalohet Kanuni i Albin Kurtit që hedh poshtë gjithë ligjet e Parlamentit”, deklaroi Jasharaj. Ai thotë se ministrja Nagavci nuk thotë gjë para opinionit se ka shkelë ligjet bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Muratin dhe sipas tij, mundohej të ndëshkonte vetëm punëtorët e arsimit për grevën se grevistëve të tjerë ua kishte ndarë pagat. “Lufta me SBASHK-un dhe arsimit ka vazhduar e po vazhdon dhe dihet pse për ta zhdukur këtë sindikatë që është e fortë dhe nuk dorëzohet”, shkruan Jasharaj. Kryetari i SBASHK-ut deklaroi se Nagavci, në vend që të tregojë se Kontrata Kolektive e Arsimit të Kosovës në nenin 43 e në pikën 8 e thotë qartë e orët e humbura në grevë nuk zëvendësohen, përveç nëse palët nënshkruese arrijnë marrëveshje të veçantë. “Nagavici duke u munduar ta ruajë pozitën e ministres, që mund t’ia marr shefi, nuk lodhet duke shkelur Kushtetutën e Ligjet e as edhe Kontratën Kolektive të Arsimit të Kosovës vetëm të jetë pjese Kanunit të Albin Kurtit”. “Tani ajo po kërcënon edhe me deklarimin se “mos mbajtja e orëve qenka vepër penale”, tha Jasharaj. Pasi rikujton kontributin e mësimdhënësve në etapa të ndryshme të historisë së Kosovës, kryetari i SBASHK-ut akuzon ministren se po kërcënon me inspektorë. “Mendo kush do të jesh ti nesër e në vitet e lavdishme të betejave për mbrojtjen e arsimit shqip t’i nuk ishte askund e as edhe të pafytyrët që po më shajnë mua e mësimdhënësit e atyre viteve”, shkruan Jasharaj. “Ndalu pak se kolltuku nuk zgjat me vite po jeta zgjat më shumë dhe vështirë të jetosh e turpëruar”.https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=620148