Monday, November 25, 2024
HomeSOCIALENDERKOMBETARE35 vite Shqipëri-Kanada, Rota: Forcojmë lidhjet tregtare

35 vite Shqipëri-Kanada, Rota: Forcojmë lidhjet tregtare

Kanadaja dhe Shqipëria vendosën lidhjet diplomatike në vitin 1987 prandaj ky vit shënon 35-vjetorin e këtyre marrëdhënieve. Kryetari i Dhomës së Komuneve të Kanadasë, Anthony Rota në kuadër të vizitës në vendin tonë, mbajti fjalë në Kuvend. Rota deklaroi se, Shqipëria ka punuar fort për të forcuar marrëdhëniet me fqinjët përmes mekanizmave si “Ballkani i Hapur”. “Sivjet mbushen 35 vjet nga momenti kur 2 vendet tona vendosën marrëdhëniet diplomatike. Kjo marrëdhënie patjetër që do të vazhdojë të rritet teksa vendet tona punojnë bashkë për të forcuar lidhjet tregtare dhe lidhjet mes njerëzve”, tha ai. “Kanadaja dhe Shqipëria gjithashtu kanë edhe mundësi për të bashkëpunuar për çështje që na sfidojnë të gjithëve, siç është nevoja për të forcuar të drejtat e njeriut, diversitetin, përfshirjen, barazinë gjinore, fuqizimin e grave dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike”, theksoi Rota. “Në vitin 2019 grupi parlamentar i miqësisë kanadezo-shqiptare u themelua si shënjues i punës së madhe dhe vullnetit të mirë të dy kombeve tona për të forcuar bashkëpunimin”, tha Rota. “Gjatë viteve kemi parë shumë zhvillime, qoftë brenda vendeve tona, por edhe në nivel ndërkombëtar. Sa i përket sigurisë vendi juaj ndihmoi në stabilizimin e rajonit pas konflikteve të 1990 dhe në 2009 Shqipëria iu bashkua Kanadasë dhe aleatëve të tjerë në organizatën mbrojtëse të Traktatit të Atlantikut të Veriut, NATO” , nënvizoi Rota. Gjithashtu, shtoi ai, “Shqipëria ka punuar fort për të forcuar marrëdhëniet me fqinjët përmes mekanizmave si “Ballkani i Hapur””. “Më erdhi mirë kur mësova se në korrik Shqipëria çeli zyrtarisht negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kanadaja i ka mbështetur dhe i mbështet aspiratat tuaja për anëtarësim në BE dhe ju uron gjithë të mirat në këtë udhëtim”, u shpreh ai. Gjithashtu, vijoi Rota, “presim me padurim të kemi bashkëpunim dhe më të ngushtë gjatë mandatit 2022-2023 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku Shqipëria është anëtare”. “Gjithashtu Shqipëria ka punuar fort me masa edhe në fusha të tjera, me qëllim që dy vendet tona të afrohen më shumë dhe kemi plot gjëra për t’u krenuar në këtë aspekt”, tha Rota. Kryetari i Dhomës së Komuneve të Kanadasë foli edhe në lidhje me agresionin rus në Ukrainë. “Vizita ime vjen në një moment të trazuar. Një konflikt i rëndë po ndodh në Evropë. Të gjithë kemi parë me tmerr zhvillimet e ditëve, javëve dhe muajve të fundit që kur Rusia pushtoi Ukrainën. Agresioni rus në Ukrainë po shkakton vdekje, zhvendosje popullsie dhe destabilizim në rajonin tuaj, por edhe problematika me energjinë dhe përballimin e ushqimeve ashtu si në Kanada dhe në mbarë botën”, theksoi Rota. “Lufta dhe agresioni rus kundër Ukrainës po cenon rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla, ndërkohë që taktikat e dezinformimit bashkë me manovrat e tjera edhe më të gjera po cenojnë vetë themelet e demokracive tona”, tha ai. “Ky agresion”, shtoi Rota, “na ka treguar, nëse ka pasur ndonjëherë ndonjë dyshim edhe më të vogël, se shtetet që mendojnë njësoj duhet të punojnë bashkë në mbrojtje të vlerave të përbashkëta”.https://ata.gov.al/2022/10/13/35-vite-marredhenie-shqiperi-kanada-rota-forcojme-lidhjet-tregtare/

RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img

Most Popular

Recent Comments