“Atelie e shpirtit”, përmbledhja me krijimet letrare në prozë dhe poezi, është vepra e fundit e autorit Luan Kalana. Pavarsisht se për më shumë se 2 dekada, Kalana jeton në Shtetet e Bashkuara, malli dhe dashuria për vendlindjen janë frymëzim i krijimtarisë së tij. Mes miqsh ai ka promovuar këtë vepër, pasi ky muaj muaj korrespondon me 2 ngjarje të rëndësishme letrare, me muajin e letërsisë dhe me muajin e lindjes së Dritëro Agollit. “Unë e kam thënë që në vargjet e para të librit-Sa do kisha dëshirë të bëja një pikturë të shpirtit njerëzor, sa do kisha dëshirë të kisha daldën e skulptorit, të bëja bustin e shpirtit njerëzor. Kjo m’u realizua, sepse shpirti im njerëzor është një studio atelie ku nxjerr mallin për Shqipërinë, ku ruaj edhe përmend kujtime, mbresa. Jam krenar me Shqipërinë. Jam shumë i kënaqur që për herë të parë ndodhem në shtëpinë time televizive”, shprehet Luan Kalana. Një nga kolosët e letrave shqipe, i cili e ka frymëzuar në të shkruar Kalanën, është Dritëro Agolli. Madje në bisedat e shumta që kishin së bashku, herë-herë i jepte edhe ndonjë këshillë. “Unë idhull kam bashkëfshatarin tim, Dritëro Agollin. Jemi takuar para demokracisë. E kam idhull shpirtëror. Krijimtaria e tij më ka frymëzuar edhe mua. Kam gati një vepër letrare, “Amanetet e Dritëro Agollit për Devollin dhe Shqipërinë”. I kam shkruar kur Dritëroi ishte gjallë. Dritëroi më thoshte gjithnjë, shkruaj për njerëzit e thjeshtë“, vazhdon ai. Shkrimtari Luan Kalana ka lindur në qytetin e Korçës. Ka kryer studimet e larta për Gjuhë shqipe dhe Letërsi e Filozofi. Ka ushtruar për afro 30 vite profesionin e mësuesit në Pogradec dhe Devoll. Tre libra nga krijimtaria e tij ndodhen në Librarinë Kombëtare të Kongresit në Washington DC. Është fitues i disa çmimeve letrare dhe “Shkrimtar i vitit”, në Diasporë.https://lajme.rtsh.al/artikull/-atelie-e-shpirtit-autori-luan-kalana-promovon-librin-e-tij-te-fundit-ne-tirane-