“Albgaz” dhe kompania spanjolle “Enagas”, një nga kompanitë më të mëdha të infrastrukturës së gazit dhe një nga transmetuesit e certifikuar europianë të gazit si të lëngshëm, ashtu edhe natyral, nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit. Marrëveshja parashikon bërjen e kompanisë spanjolle “Enagas” aksionere të shoqërisë “Albgaz”. Marrëveshja e bashkëpunimit mes “Albgaz” dhe kompanisë spanjolle “Enagas” i hap rrugë të dyja palëve për të punuar dhe ndërvepruar së bashku sa i takon projekteve të rëndësishme që qeveria shqiptare ka në sektorin e gazit. E pranishme në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes, zëvendëskryeministrja e njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi se Shqipëria ka nisur që në vitin 2019 një strategji kombëtare për diversifikimin e energjisë. “Kriza energjetike globale ka të bëjë edhe me sigurinë energjetike të Europës, në kushtet kur gazi rus furnizonte më shumë se 70 % të nevojave të tregut dhe sot që po përdoret si një pengmarrje, duhet ti gjendet një zgjidhje. Shqipëria ka qenë imune nga gazi rus, por nuk jemi imunë nga importet e energjisë elektrike. Vërtet ne prodhojmë 100 % energji të rinovueshme, por edhe në ditët më të mira nuk është më shumë se 75 % e nevojës së tregut, që do të thotë se ne jemi të detyruar të blejmë në import”, deklaroi zv/kryeministrja. Ndaj, shtoi ajo, në ditët e sotme duhet rritje e kapaciteteve prodhuese. “Energjia e rinovueshme është prioritet për Shqipërinë dhe ne kemi nisur që në 2019-ën një strategji kombëtare për diversifikimin e energjisë. Ka nisur ndërtimi i parqeve fotovoltaike që do të rrisin kapacitetet prodhuese dhe do të balancojnë kaskadën e Drinit, ndërsa kemi një proces ekselent me BERZH-in për ndërtimin e parqeve eolike”, deklaroi Balluku. Kompania spanjolle “Enagas” është angazhuar, jo vetëm për të kontribuar fuqishëm në ngritjen e të gjithë transmetuesit IAP, pra duke nisur nga e gjithë pjesa perëndimore e Ballkanit Perëndimor, pra nga Kroacia deri në Greqi, ku Shqipëria përfshihet me portin e lundrueshëm të Vlorës edhe me pikat e daljes që kemi në territorin tonë të gazsjellësit të TAP-it, por gjithashtu është angazhuar të marrë pjesë edhe me investimet në depozitat natyrore të gazit të lëngshëm, por edhe në të gjitha hapat që ne do të hedhim në të ardhmen edhe në terminalin, edhe në termocentralin e Vlorës, i cili parashikohet të arrijë edhe në 350 megavat-orë. “Duke pasur një partner të ri, duke firmosur sot një bashkëpunim me “Enagas”, kemi shënuar sot një hap të ri për të forcuar sistemin tonë energjetik, për të krijuar kapacitetet e reja dhe burimet alternative të prodhimit të gazit të lëngshëm dhe duke kthyer Shqipërinë si një nga vendet më të rëndësishme të Ballkanit për transmetimin e gazit të lëngshëm, i cili do të vijë në portin e Vlorës dhe duke e kthyer Shqipërinë në një faktor energjetik për të gjithë Europën,” u shpreh Balluku.http://ata.gov.al/2022/10/04/nenshkruhet-marreveshja-spanjollja-enagas-aksionere-e-shoqerise-albgaz/