Skulptura e bronzit të Henry Moore pritet të thyejë rekord në Festivalin e Britanisë. Vepra e cila “ndau” opinionin mes atyre që e konsideronin si një “monstruozitet” dhe atyre që e shohin si një “vepër gjeniale”, pritet të thyejë rekordet e ankandit si skulptura më e shtrenjtë e bërë nga një artist britanik. Vepra do të dalë në ankand në muajin nëntor me një çmim prej 30-40 milionë dollarë. Bronzi i Moore, një figurë gjysmë abstrakte e shtrirë, trazoi opinionin publik kur u ekspozua për herë të parë si një pjesë qendrore e Festivalit të Britanisë në vitin 1951. Figura e shtrirë u hoq nga ekspozimi në 1956 dhe iu dha hua Galerisë Kombëtare Skoceze të Artit Modern në Edinburg në 1961, duke hyrë në koleksionin e saj në 1969. Moore e veçoi atë si një nga skulpturat e tij më të rëndësishme dhe të parën “në të cilën arriti të bënte formën dhe hapësirën të pandashme skulpturalisht”. Rekordi aktual i ankandit mbahet nga një tjetër botim i Reclining Figure, i cili u shit për 24.7 milion dollarë në 2016 kur vlerësimi ishte 15-20 milionë dollarë. Moore, në atë kohë një nga skulptorët më të famshëm në botë, u ngarkua nga Këshilli i Arteve për të marrë pjesë për Festivalin e Britanisë në Londër. Vepra u pa nga disa si një paraqitje emocionuese e sfidës dhe elasticitetit britanik pas Luftës së Dytë Botërore. Të tjerët u tronditën nga vepra, duke sugjeruar se Moore ishte i pushtuar nga imazhet e tmerreve në kampet naziste të përqendrimit ose pasojat e bombës bërthamore të Hiroshimës.