Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi sot se ekonomia shqiptare u rrit me 2.23 % në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Gjatë një konference për shtyp mbi ecurinë e deritanishme të ekonomisë, Ibrahimaj tha se gjithsesi rritja u ngadalësuar në krahasim me tremujorin e parë, kur u shënua niveli 6.5 %. Kontributin kryesor, bëri të ditur ajo, e ka pasur sektori i tregtisë, transportit, akomodimit dhe shërbimit ushqimor. “Në nivel 6-mujor ekonomia shqiptare është rritur me 4.17 %. Ministria e Financave dhe Ekonomisë ju qëndron parashikimeve të fillim vitit për një rritje ekonomike prej 3.2 % përgjatë vitit 2022. Madje ne presim që rritja të mund të jetë mbi 3.2 %”, deklaroi ministrja. Sa i takon krahasimit me vendet e rajonit, Ibrahimaj theksoi se Shqipëria pati rritjen më të lartë në rajon, pas Malit të Zi. “Vendet e tjera të rajonit si Kosova, Maqedonia e Serbia rezultuan me një rritje më të ulët në nivel 6-mujor. Mali i Zi është i vetmi vend i rajonit që ka pasur një rritje më të lartë, prej 9.64 %”, deklaroi ministrja. Duke iu referuar një analize të kryer nga MFE, për të kuptuar se si çdo ekonomi ka përthithur efektet nga kriza, Ibrahimaj tha se vihet re se krahasuar me vitin 2019, aktiviteti ekonomik në gjysmën e parë të vitit është rritur në nivel 7.75 %. “Ndërsa vendet e tjera si Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi ende nuk kanë abservuar efektet e krizës së pandemisë. Serbia është i vetmi vend, krahas Shqipërisë që ka pasur një rritje ndjeshëm më të lartë se sa viti 2019”, tha ajo.http://ata.gov.al/2022/10/03/ibrahimaj-ekonomia-u-rrit-me-2-23-ne-tremujorin-e-dyte/